28 Mars, 2018 - 6:40 pm
Feride Rushiti, gruaja që këtë vit është një nga dhjetë laureatet e çmimit “Gratë e guximshme” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, po vazhdon me vizitën e saj në ShBA.
Ajo po qëndron në Pensacola, një qytet në Florida, ku edhe po e tregon rrëfimin e saj dhe angazhimin e saj në kauzën për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo ka treguar në Pensacola, në një ligjëratë, se si gjatë luftës së vitit 1998-99 në Kosovë ka qenë studente në Shqipëri dhe e ka kuptuar më pas mizorinë që po ndodhë në Kosovë.
“Takova nëna që e kanë parë dhunimin e vajzave para syve të tyre, familje që kanë humbur fëmijët në luftë. Dhe e kuptova që duhet të veproj, duhet të ndërmarr diçka” tregon Rushiti.
Në këtë kohë Rushiti u shndërrua nga një praktikuese mjekësore në një aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo më pas e themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.
Gjatë vizitës në Pensacola, ajo po viziton disa organizata, përfshirë FAVORHouse dhe Gulf Coast Kids House. Ajo u takua edhe me profesorët Kimberly McCorkle dhe Richard Hough nga Universiteti i West Florida.
Rushiti do të përfundojë këto ditë udhëtimin e saj në SHBA bashkë me laureatet tjera të programit të njohur amerikan, që e njeh angazhimin e grave në fusha të ndryshme. Sot ajo do të jetë e pranishme në një Forum Publik në Los Angeles, California. / KultPlus.com