5 Qershor, 2024 - 2:24 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte në Shëngjin ku së bashku me Pjerin Ndreun, kryebashkiakun e Lezhës, hapën festivalin veror UNUM, që e kthen Lezhën në një “skenë” gjigante festive dhe i jep Shqipërisë një flamur të ri në hartën ndërkombëtare të eventeve verore.
Festivali UNUM do të vazhdojë deri më datën 11 qershor, në plazhin e Ranës së Hedhun. Pikërisht aty UNUM do të mirëpresë mbi 60 pjesë muzikore elektronike nga vendi dhe bota.
Agjencia Kombëtare e Turizmit fton të ndiqet ky event për të cilin vjen në ndihmë edhe udhërrëfyesi digjital TEA.
“Muzikë, rërë, pisha, det dhe male ku në një rrotullim 360 gradë ju do të jeni në gjendje të shihni, ndjeni dhe përjetoni të gjitha grimcat e shijes shqiptare në një festival të vetëm”, shkruan AKT.
Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se, tani nuk flitet vetëm për festivalin UNUM por thuhet shpesh “festivali UNUM i Shëngjinit”.
“Ka ardhur momenti kur pas 5 vjetësh, UNUM është i lidhur si një brand me vendin ku ndodh. Prandaj besoj se është një martesë e lumtur mes festivalit dhe Shëngjinit dhe padiskutim që në martesa të lumtura ka njerëz që i japin frymë dhe bëjnë që kjo martesë të jetë jetëgjatë”, u shpreh ministrja gjatë ceremonisë inauguruese.
Sipas saj, UNUM nuk është thjesht festival por si një lloj kampi ku mësohet bashkëjetesa duke respektuar natyrën.
Ministrja ka theksuar rritjen e pjesëmarrësve nga viti ne vit dhe u shpreh se i sheh ata si ambasadorë të cilët i shtohen promovimit të turizmit të Lezhës dhe gjithë Shqipërisë./atsh/KultPlus.com