17 Qershor, 2019 - 9:33 am
Mysafirët nga Kosova, Shqipëria dhe Portugalia e kanë përmbylluar odisejadën një javore të edicionit të shtatë të FemArt. Në mbrëmjen e së dielës, Teatri Oda është bërë nikoqir në përmbylljen e festivalit të vetëm rajonal kushtuar fuqizimit dhe emancipimit të gruas.
E pyetur nga KultPlus, Venera Ismaili nga Artpolis, ka treguar për detajet e organizmit të këtij edicioni të FemArt.
“Që nga vullnetarët, deri te stafi i rregullt i Artpolis-it kanë bërë një punë të palodhshme në realizimin e festivalit. Ka qenë një javë përplot aktivitete, mua më gëzon fakti që vazhdimisht po rritet interesimi për FemArt dhe për tema që trajtojmë ne si Artpolis.”
Gjatë gjithë kësaj jave Prishtina ka fituar më shumë ndjesi femëroare falë performancave, muzikës dhe panelisteve që FemArt ka mbledhur nga e gjithë bota. Duke përdorur artin, shkrimet dhe performancat teatrore kemi bërë një hap në luftën për të drejta dhe barazi gjinore. Duke na quar në një tur rreth Prishtinës, herë në Galerinë Kombëtare, herë në Teatrin Oda e herë në ambientet e Hotel Grand, FemArt ka provuar ta kthejë vëmendjen te temat që kanë tendenca të lihen anash apo të diskutohen vetëm gjatë Ditës Ndërkombëtare të Grave.
Nga çështjet e abortit e deri te rastet më të ndejshme të përdhunimit, kanë qenë tema të sivjetshme të FemArt, kurse gratë më të fuqishme nga vendi dhe rajoni, pavarësisht temperaturave ekuatoriale, kanë përdorur inteligjencën dhe njohuritë e tyre mbi teoritë feministe si dhe eksperiencave personale kanë tentuar ta vetëdijesojmë publikun e etur të FemArt.
Nata e fundit e FemArt ka filluar me vallëzim latin, nga valëtarët e Evolution Dance, të cilët e ngrohën skenën për këngëtarët nga Kosova dhe Shqipëria Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha bashkë me bendin. Pas tyre ka performuar YEMADAS, që me muzikë na dërguan në një udhëtim me rituale të lashta dhe kontemporane të Afrikës./RronaJaka/KultPlus