24 Korrik, 2024 - 10:38 am
Porto Palermo Festival rikthehet edhe këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt.
Festivali i ideuar nga violinisti Olen Çesari kësaj here do të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje magjike të cilat si çdo verë, do të zhvillohen në kalanë e Porto Palermos. Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve, nga e enjtja në të diel, në datat 1-18 Gusht.
“Përjetoni eksperiencën fantastike që krijojnë emrat e shquar të muzikës dhe artistët e mirënjohur të skenës shqiptare, në Kalanë e Porto Palermo”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale, duke promovuar këtë aktivitet.
Nga informacionet e shpërndara prej vetë festivalit, në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.
Në edicionin e tretë, nuk u performua vetëm brenda mureve të kalasë së Porto Palermos, por edhe në ambient të hapur, në qytetin e Himarës.
Madje organizatorët thanë se kjo gjë do të kthehej në një traditë të mbrëmjeve përtej mureve të kalasë.
Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./atsh/KultPlus.com