11 Qershor, 2024 - 1:42 pm
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” në edicionin e 11-të, vijon sot në ditën e tij të tretë me programin e filmit studentor, programin e filmit të shkurtër, filmi me metrazh të gjatë dhe programin Cine Co.
Filmat e këtij edicioni janë duke u shfaqur në disa vendndodhje. Përveç Amfiteatrit të Universitetit të Arteve, “Dea Open Air” do të shfaqë filma edhe në kinemanë e COD-it dhe në Kinema “Agimi”.
Në seksionin e filmit studentor konkurrojnë filmat “Mikrobi”, prodhim bullgar, “Turp”, prodhim armen, “Më pranë”, prodhim letonez, “Katja”, nga Federata Ruse, të cilat do të shfaqen në Kinema “Agimi”.
Në seksionin e filmit të shkurtër ka prodhime nga Kosova, Spanja, SHBA, Franca, Maroku etj. Ndërsa nga filmat e seksionit të metrazhit të gjatë, veçojmë filmin “Okarina” të Alban Zogjanit, 92`, prodhim i vitit 2023, i cili do të shfaqet mbrëmjen e sotme në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.
Ky edicioni i “Dea Open Air” do të sjellë në Tiranë 39 filma nga 25 vende të botës./atsh/KultPlus.com