“Shpirti magjik i Violonçelos”, koncerti që mahniti publikun në Prishtinë

19 Shtator, 2019 - 11:08 am

Qendrim Badalli

Publiku po i shfaqte hapur dhe fuqishëm emocionet e tij. Ndonjë “Bravoo” dëgjohej nga të pranishmit që përcillej më pas me duartrokitje të pafundme. Nuk ndodhte në Vjenë, ndodhte në Prishtinë. Aty ishte violonçelisti rus, Denis Shapovalov, në performim të përbashkët me pianisten nga Bullgaria, Daniela Dikova, të cilët me një qëndrim shumë miqësor dhuruan emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

“Shpirti magjik i Violonçelos” quhej mbrëmja e djeshme në të cilën dy artistët e huaj interpretuan veprat e kompozitorëve të njohur si: Luigi Boccherini, Felix Mendelsson, Boguslav Martinu, Pyotr Tchaikovsky, Johanes Brahms, Sergey Rachmaninoff, Claude Debussy, Dmitri Shostakovich, Sergei, Prokofiev.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, violonçelisti rus, Denis Shapovalov, ka thënë se ishte një nder për të, të performonte në hapjen e koncertit të sivjetëm. “Është gjë e madhe, është nder i madh të luaja në hapjen e koncertit. Dje ishte një koncert i madh, sepse kisha një komunikim më të madh me publikun, e ndjeja atë. Është e rëndësishme që të transmetosh gjithçka çfarë ndjen, por edhe sot ishte një koncert i mirë”.


Teksa ka folur për nivelin artistik të Kosovës, ai ka thënë se edhe kultura dhe arti varen nga investimi ekonomik që bën shteti për ta. “Është çështje parash. Gjithçka sillet rreth parave. Qeveria duhet të investojë në kulturë në mënyrë që ajo çdo ditë e më shumë të zhvillohet e të fuqizohet”.

Tutje, qëndrimin në Kosovë e ka vlerësuar si eksperiencë të mirë, teksa ka thënë se do e vizitojë Kosovën serish meqë tani ka bërë shumë miq. “Është një eksperiencë e mirë, këtu është pjesë jashtë zonës ortodokse ruse dhe mund ta ndjejë një atmosferë tjetër, edhe njerëzit janë shumë të mirë. Është një mundësi e mirë që të thyej steriotipet që janë të ndërtuara për këtë vend. Unë do të vij prapë në Kosovë, tani kam bërë shumë miq”.

I pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Botschafter Christoph Weidinger dhe një numër relativisht i madh i publikut. Koncerti u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare-Prishtinë duke filluar nga ora 20:00. Sivjet në këtë edicion jubilar do të performojnë rreth 40 artistë botëror si dhe mbarë shqiptar dhe ansamble harkore, pianistike e frymore. 13 Koncerte do të realizohen në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të UP-së përpos koncertit të mbrëmjes përmbyllëse i cili do të realizohet në Pallatin e Rinisë-salla e kuqe. / KultPlus.com

Të ngjajshme