26 Shtator, 2020 - 10:28 am
Vatrat e arsimit dhe kulturës shqiptare janë duke u përhapur kudo në Zvicër, pasi që puna aktiviteti dhe përkushtimi i mësuesve, prindërve e fëmijëve shqiptarë është duke dhënë rezultate të shkëlqyera.
Kjo, gjithnjë duke pasur pikënisjen e mbështetjen dhe organizimin e mirëfilltë që po bën dr. Vaxhid Sejdiu në kuadër të Shkollave Shqipe në Zvicër, të cilën janë duke e përkrahur edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër, si dhe institucionet arsimore.
Kështu pasi u hapën shumë shkolla, kohët e fundit, si në Regensdorf, në Shkollën “Rüttihof” të qytetit të Cyrihut, po ashtu siç u çel shkolla në Otewil am See, edhe në Egg të Cyrihut, më 22 shtator 2020 u hap shkolla shqipe për nxënësit shqiptarë. Mësimi mbahet ditëve të marta nga ora 16:00 deri në orën 18:00 dhe në këtë pikë shkollore punon mësuesja Albulenë Jusufi.
Natyrisht, gëzimi vihej re që në sytë, fytyrat e gjestet e nxënësve dhe prindërve që i kishin sjellë këta fëmijë në shkollën shqipe.
Kështu sukseset jo vetëm nuk na kanë munguar, por edhe zgjerimi e mbarëvajtja e shkollave shqipe ka ecur e po ecën në një udhëtim të mbarë dhe një aktivitet i këtillë do të vazhdoj me intensitet edhe në javët në vazhdim. /albinfo/ KultPlus.com