22 Maj, 2018 - 8:53 pm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Itali, zhvilloi sot një takim të veçantë me përfaqësuesit e arbëreshëve të atjeshëm.
Haradinaj “vlerësoi lartë angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar”, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.
Haradinaj tha se arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët.
“Kosova po i bashkohet familjes së popujve evropian dhe kjo i forcon edhe më shumë lidhjet tona shpirtërore dhe kombëtare”, tha kryeministri Haradinaj.
Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, Haradinaj ftoi përfaqësuesit e organizatave kulturore arbëreshe që të vizitojnë sa më shpesh Kosovën.
“Për mua është një moment domethënës qëndrimi me ju sot. Ju e keni mbijetu ndër shekuj identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane, të trashëguara që atëherë. Dëshiroj të ju them se ne ju çmojmë shumë”, tha Kryeministri Haradinaj në një bashkëbisedim me arbëreshët e Italisë por edhe kosovarë që prej kohësh jetojnë në Itali.
Kryeministri po ashtu tha se marrëdhëniet me komunitetin arbëreshë të Italisë janë shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim shqiptarët duhet t’i intensifikojnë ato, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore e kombëtare, por edhe kultivimin e miqësisë së ndërsjellë.
Haradinaj vizitoi edhe Kishën Katolike Abreshe Shën Thanasi dhe Kolegjin Grek, ku u njoftua për së afërmi me vlerën historike dhe kulturore të këtyre dy monumenteve nga intelektuali arbëresh Domenico Morelli. / KultPlus.com