Inva Mula performon shqip në ‘Muajin e Trashëgimisë Shqiptare’ në Kanada (VIDEO)

21 Nëntor, 2017 - 5:33 pm

Në një prej sallave të Parlamentit të Ontarios në Kanada, me datë 20 nëntor është mbajtur një ceremoni festive me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Provincë.

Vitin e kaluar, ky parlament e ktheu në ligj propozimin e një grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month”. Nisma erdhi nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze e Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, sot presidente nderi e shoqatës dhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri.

Me rastin e përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, pikërisht në këtë sallë që shihet në pamjet filmike, u mbajt kjo ceremoni e bukur ku ishte e ftuar sopranoja Inva Mula, Nderi i Kombit, njeriu që pas hapjes së Shqipërisë në vitet 90 u dha Shqipërisë dhe shqiptarëve një vend në hartën e artit skenik botëror. Pamjet janë marrë nga Pasqyra Shqiptare TV në Facebook.

Veprimtaria u moderua nga aktorja dhe këngëtarja Ana Golja. Morën pjesë gjithashtu dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë: Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo. Fjala iu dha disa deputetëve, ndër ta edhe Qaadri që do ta shikoni në video. Veprimtaria organizohej nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me Shoqatën e Torontos dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, znj. Ruki Kondaj. Ishin të ftuar veprimtarë në komunitet dhe sponsorë të shoqatës dhe Shtëpisë së Shqiptarit. Me këtë rast shoqata nderoi me titullin anëtar nderi disa persona, mes tyre edhe Inva Mula. / KultPlus.com

Të ngjajshme