Me këngët e Nexhmije Pagarushës, Nju Jorku feston përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

16 Shkurt, 2018 - 7:49 pm

Për nder të 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe jubileun e 10 të saj, me program krejtësisht artistik, mbrëmë në New York është organizuar një koncert me kënge dhe vepra kosovare, interpretuar nga artistë të ndryshëm shqiptarë.

I ideuar nga mjeshtri i fotografisë Fadil Berisha dhe mbështetur nga Konsulata e Republikës së Kosovës për New York, koncerti përmbante këngë të krijuara për zërin dhe repertorin e Nexhmije Pagarushës nga kompozitorët e njohur kosovarë Rexho Mulliqi, Sevime Gjinali, Shaqir Hoti, etj.

Këto këngë, të rikrijuara për këtë koncert nga AlbaBand, erdhën të interpretuara nga tenorët Ergin Oda e Riad Ymeri, nga mexosopranja Dëshira Kërliu Ahmeti, këngëtarja Linda Halimi e këngëtarë të tjerë të muzikës artistike shqiptare të cilët jetojnë në SHBA. Përzgjedhja e këngëve ishte bërë me kujdes dhe interpretimet solistike dhe në duete, sollën emocione të rralla të publiku.

“Kënga e Rexhës”, “Baresha”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam”, “Prishtinë e dashur”, ishin vetëm disa nga këngët që janë interpretuar këtu e 60 vite nga Nexhmije Pagarusha dhe sot hyjnë në fondin e artë të muzikës shqiptare. Koncertin e shoqëruan edhe parakalimet e vajzave të bukura nga Kosova e Shqipëria të cilat sollën para publikut veshje të stilistes nga Tirana Mirela Nurce e cila kishte ardhur nga Tirana për këtë koncert, duke sjellë kështu përmes këtyre përformancën edhe veshjet e Nexhmije Pagarushës në paraqitjet e saj nëpër vite.

Në fakt, nuk është hera e parë që nga ana e mjeshtrit Berisha organizohet koncert për Nexhmije Pagarushën. Vite më parë, është mbajtur një koncert tjetër me përzgjedhje tjetër të këtij repertori dhe të gjitha janë interpretuar nga këngëtarja Aurela Gaçe, ndërkaq komuniteti shqiptar këtu ende e kujton atë koncert, një nga të rrallët me performanca komplet artistike.

Ndërsa vet Fadil Berisha, për KultPlus shprehu keqardhje për mos mundësinë e pjesëmarrjes së zonjës Nexhmije Pagarusha e cila ftesën e ka marrë me kohë dhe është pajisur me vizë të SHBA.
“Gjendja shëndetësore e Nexhmijes nuk e lejoi të jetë e pranishme, me çka edhe do ta madhështonte koncertin dhe do të sillte emocione të papara para publikut. Ajo është zonjë e madhe e këngës shqipe dhe ne jemi të nderuar që ajo ishte shumë e entuziazmuar që këngët e saj para publikut shqiptar dhe amerikan do të silleshin si arie por edhe në zhanre të rikrijuara nergut për këtë mbrëmje nga kompozitorë shqiptarë”.

Një fjalë rasti në këtë koncert e mbajti edhe Teuta Sahatqija – konsule e përgjithshme e RKS për New York, e cila përmendi edhe aktivitete të tjera kulturore e diplomatike të organizuara nga kjo Konsulatë gjatë kësaj jave e cila po shënon jubileun e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë ekspozitën e fotografëve nga Kosova, Shkëlzen Rexha e Arben Llapashtica, turneun e futbollit, konferencën në nivel të lartë diplomatik, aktivitete të shkollës shqipe, etj.

Në fund, Sahatqija laureoi me plaketa nga kjo konsulatë për kontributin e tyre Fadil Berishën dhe veprimtaren Shpresa Xhakli. Po ashtu një fjalë rasti e mbajti edhe veprimtari i njohur shqiptar në SHBA – Avni Mustafaj, ndërsa në fund, për të pranishmit u shtrua një koktej rasti. Koncerti është moderuar nga aktori kosovar që jeton në SHBA, Shpend Xani, dhe nga gazetarja Shpresa Mejzinolli, ndërsa është mbështetur nga Fadil Berisha dhe nga Shpresa Xhakli. / KultPlus.com

FOTO: ARBEN LLAPASHTICA

Të ngjajshme