18 Gusht, 2017 - 10:12 am
‘DiasporaFlet nëpër Kosovë’ vjen me takimin përmbyllës për këtë edicion i cili do të mbahet në Prishtinë e ku do të diskutohet rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të profesionistëve të diasporës dhe të rinjëve në vendin tonë, përcjellë KultPlus.
Më datë 18 gusht, në orën 18:00 në lokalin MIQT Pub do të mbahet takimi “DiasporaFlet n’Prishtinë”, me folësit e ftuar: Aneta Mihali Xhiku dhe Mikra Krasniqi, të cilët do të ndajnë me ju përvojën e tyre dhe do të diskutojnë rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Që nga emigrimi me familje në SHBA, para dy dekadave, Aneta Mihali Xhiku ka punuar në arsim si mësuese shkencash, në fushën ligjore si menaxhere e të drejtës intelektuale, si dhe u angazhua me Departamentin e Shtetit Amerikan si dhe kontribuoi në agjenci të ndryshme si përkthyese e gjuhës shqipe. Në viti 2005, ajo bashkëthemeloi dhe drejtoi shkollën e parë shqipe “Mësonjëtorja” në zonën e Washington DC dhe qysh atëherë ka organizuar aktivitete të shumta me komunitetin shqiptar në Amerikë. E sapokthyer në atdhe, Aneta ka nisur të punoj në Shqipëri e Kosovë me projekte zhvillimi. Gjithashtu, ajo u angazhua edhe në fushën e shkrimeve.
Ndërsa, Mikra Krasniqi është ekonomist në departamentin ekonomik të qeverisë së shtetit të Maryland-it në SHBA. Në këtë pozitë, Mikra është i ngarkuar me menaxhimin dhe drejtimin e një sërë projektesh rreth ekonomisë së rajonit dhe me gjerë. Para se të angazhohej në qeveri, Krasniqi kishte shpenzuar mbi 8 vite në sektorin privat dhe në fushën e zhvillimit ndërkombëtar në organizata si: Banka Botërore, Korporata Ndërkombëtare Financiare, Oda Ekonomike Amerikane në Washington DC, etj. Studimet universitare e postuniversitare i përfundoi në universitetin George Mason dhe Universitetin e Harvard-it në Boston. Përmes këtyre takimeve, Germin synon që ta ndryshojë bindjen e njëanshme për diasporën, si dhe të afroj të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve të moshave të ndryshme dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë.
Këto takime kanë për qëllim të njoftojnë nga afër të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë. / KultPlus.com