1 Janar, 2020 - 8:00 pm
Bujar Meholli
Rudina Jasini është ndër juristet shqiptare më të njohura dhe më të suksesshme në botë. Ajo ka doktoruar në shkencat e fushës së jurisprudencës, dhe ka arritur të jap një kontribut të madh edhe në drejtësinë ndërkombëtare.
Pas mbarimit të studimeve për drejtësi në Tiranë, ajo zhvendoset fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vazhdon studimet për drejtësi ndërkombëtare e më pas në Holandë ku punoi në Tribunalin për krimet në ish-Jugosllavi në Hagë, gjegjësisht si stazhiere dhe më pas si avokate.
Në vijim, Rudina vazhdoi studimet master për drejtësi penale dhe kriminologji si dhe doktoraturën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oksfordit në Britaninë e Madhe. Gjithashtu ajo ka zhvilluar studime kërkimore-shkencore në Universitetin e Harvardit në SHBA.
Sot, Rudina mban leksione nëpër metropole të botës, po ashtu është e pranishme në mediat më prestigjioze botërore.
Në këtë intervistë për KultPlus, Rudina rrëfen gjëra interesante nga udhëtimi i saj profesional dhe personal, nga pasionet, udhëtimi, fotografia e deri tek adhurimi i muzikës klasike.
Gjithashtu, ajo rrëfen eksperiencat e saj në Universitetin e Oksfordit, Tribunalin e Hagës, si dhe intervistimin e viktimave të luftës së Kamboxhias.
KultPlus: A e keni paracaktuar në mendje se një ditë do të jesh këtu ku je sot?
Unë mund të kem ëndërruar dhe fantazuar për shumë gjëra por nuk do të mundesha kurrsesi të paracaktoja saktë se një ditë do të ndodhesha pikërisht këtu. Ajo që mund të them është se i gjithë udhëtimi im personal dhe profesional është udhëhequr nga një sens i fortë kurioziteti, intuita si dhe aftësia për të kuptuar që kur një mundësi më ofrohej ajo ishte thirrja ime, e gjithë kjo e gërshetuar me punën dhe përkushtimin e fortë për të arritur atë që mund të kisha synuar.
KultPlus: Mendoni se gërshetimi i dëshirës dhe ambicies me mundësinë që i ofrohet njeriut janë ogur i mirë drejt suksesit?
Do të thoja që është më tepër se sa një ogur i mirë drejt suksesit. Ato janë bazat mbi të cilat ngrihet çdo arritje dhe sukses. Por mbi të gjitha është puna dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm ndaj çdo iniciative dhe sipërmarrjeje, vullneti dhe pasioni për të realizuar në mënyrën më të arrirë të mundshme atë që është synuar. Pa këto edhe dëshirat më të bukura do të mbeteshin ëndrra në sirtar.
KultPlus: Si dhe në çfarë rrethanash ka filluar udhëtimi juaj adakemik?
Unë jam larguar nga Shqipëria me bursën e Fulbright për të kryer studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Georgetown në Washington DC. Fulbright pa diskutim krijoi një platformë për mundësi të reja, për një mënyrë tjetër të menduarit dhe analizuarit, si dhe për ndërtimin e një rrjeti të pasur profesional dhe personal. Me përfundimin e studimeve në Georgetown, unë i jam bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë (Tribunali i Hagës), fillimisht si intern dhe më pas si juriste në grupin mbrojtës në çështjen Haradinaj.
Në përfundim të procesit të parë penal të kësaj çështjeje në Hagë, unë jam zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar ku kam vazhduar studimet fillimisht për një master për Drejtësi Penale dhe Kriminologji, dhe më pas doktoratën në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale pranë Universitetit të Oksfordit.
KultPlus: Realisht, cili është çelësi që jua hapi derën e karrierës suaj?
Unë realisht nuk besoj në çelësa suksesi. Mendoj se gjithsecili prej nesh ka një thirrje të brendshme dhe mënyra më e mirë për të arritur sukses është të zbulosh atë për të cilën ti ke vërtet pasion, të punosh fort për të arritur potencialin tënd dhe më pas të kërkosh mënyrat për t’i ofruar të tjerëve atë që ti arrin si një kontribut në shoqëri. Në këndvështrimin tim, është e rëndësishme që të ngrihemi mbi konceptin e të qenit vetëm një histori suksesi, dhe të synojmë më shumë të jemi të vlefshëm dhe të sjellim një impakt pozitiv në disiplinën ku ushtrojmë profesionin, në komunitetin intelektual ku bëjmë pjesë si dhe më gjerë në shoqëri. Kjo për mua është një busull e orientimit tim si individ, të mënyrës se si e drejtoj jetën dhe se çfarë kërkoj të arrij me të.
KultPlus: Ju keni studiuar për drejtësi, por a keni pasur në mendje ndonjë drejtim tjetër studimi në fillimet tuaja?
Unë kam vendosur të studioj në fushën e drejtësisë shumë herët dhe kjo zgjedhje ka ardhur natyrshëm tek unë. Mendoj se ajo që më ka tërhequr më shumë është të kuptuarit e marrëdhënies midis të drejtës dhe shoqërisë. Është një disiplinë e cila kërkon një studim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në rastin tim kjo tashmë ka marrë një dimension tjetër pasi unë kam vite që zhvilloj punë hulumtuese akademike dhe shkencore në fushën e drejtësisë.
KultPlus: Si e shihni mënyrën e studimit në Shqipëri karshi vendeve tjera?
Mënyra e të studiuarit në Shqipëri të paktën në kohën kur unë kam studiuar atje ka qenë shumë më tepër mekanike se sa analitike, ku ty si nxënës dhe student të stimuloheshe më shumë të mbajturit mend të tekstit se sa të menduarit kritik. Studimet fillimisht në Georgetown në SHBA dhe më pas studimet disavjeçare në Oksford, por edhe në Harvard ku unë kam studiuar për një vit kanë pasur një impakt të madh në formimin tim akademik dhe mbi të gjitha të përqasjes analitike dhe kritike ndaj çdo pyetjeje dhe problemi. Në mënyrë të veçantë këto eksperienca akademike më kanë mësuar mbi metodologjinë e të menduarit kritik, të procesit të detajuar për të arritur në përfundime të caktuara.
KultPlus: Çfarë roli luajti Haga dhe bashkëpunimi me gjyqtarë të nivelit të lartë në karrierën tuaj?
Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës ka qenë një shkollë më vete dhe një përvojë pune e jashtëzakonshme. Aty kam pasur privilegjin të punoj me avokatë dhe gjyqtarë të një niveli shumë të lartë si dhe kam mësuar mbi aspekte të rëndësishme të procesit penal në gjykatat ndërkombëtare. Eksperienca e punës në Tribunalin e Hagës kërkonte një angazhim maksimal profesional dhe personal si dhe një përkushtim me orë të zgjatura. Përgjegjësia është e madhe për çdo avokat dhe jurist që punon në këto institucione, por mund të them se fakti që vija nga Shqipëria, më dha avantazhin e të njohurit të kontekstit historik, social dhe ligjor, e cila mendoj se ka qenë një plus në çështjen ligjore në të cilën kam punuar.
KultPlus: Keni studiuar në Master në fushën e drejtësisë penale dhe kriminologji në Universitetin e famshëm të Oksfordit, cila është eksperienca juaj me Oksfordin?
Unë fillimisht kam ardhur në Universitetin e Oksfordit për të vazhduar studimet për master në fushën e kriminologjisë dhe drejtësisë penale pranë Fakultetit të Drejtësisë. Më pas kam vazhduar studimet për doktoraturë në drejtësinë ndërkombëtare penale të përqendruar kryesisht në rolin dhe pasojat e pjesëmarrjes së viktimave të luftës si palë civile në proceset ndërkombëtare penale. Oksfordi të ofron një hapësirë intelektuale të pakrahasueshme dhe si i tillë është vërtetë një djep i dijes dhe shkencës.
KultPlus: E konsideroni privilegj mundësinë për të studiuar në Oksford?
Të pranohesh në gjirin e këtij institucioni është një privilegj por edhe një përgjegjësi shumë e madhe, pasi kjo mbi të gjitha do të thotë të kuptosh dhe të dish t’i japësh shprehje dhe të përcjellësh siç duhet vlerat që ky institucion ka mbartur tek ty.
Për mua bisedat dhe diskutimet e zhvilluara në ambientet e kolegjeve të Oksfordit me studentë, profesorë dhe studiues të disiplinave nga më të ndryshme përbën mbase vlerën më të madhe që më ka ofruar ky institucion akademik. P. sh mund të përmend që në ditën e dytë të studimeve të mia në Oksford, në drekën e zhvilluar pranë kolegjit ku unë studioja, më qëlloi të kisha ulur përballë një student gjerman i cili sapo ishte kthyer nga Kina dhe diskutonte mbi pasojat në ekosistem të ndryshimeve klimaterike të shkretëtirës Gobi. Në krahun tim të djathtë ishte një student finlandez që fliste rrjedhshëm gjuhën japoneze dhe diskutonte mbi politikat sociale të Japonisë, ndërsa studenti anglez në të majtë i cili vazhdonte studimet për doktoratë në astrofizikë dhe ishte edhe një virtuoz në piano më fliste për lidhjen midis fizikës, matematikës dhe muzikës. Është pikërisht kjo botë e pasur intelektuale që ofrohet në ambientet e kolegjeve multidisiplionre të Oksfordit të cilat përbëjnë privilegjin më të madh për mua.
KultPlus: Për këtë që jeni sot, i detyroheni Universitetit të Oksfordit?
Unë i detyrohem individëve dhe institucioneve të shumta për të arritur këtu ku jam. Pa diskutim Oksford ka luajtur një rol formues intelektual të pazëvendësueshëm tek unë. Por mbi të gjitha unë do të veçoja rolin fillestar që prindërit e mi kanë luajtur në formimin tim. Ata kanë një meritë të jashtëzakonshme për njeriun dhe profesionisten që unë jam sot. Nuk më bënë asnjëherë të mendoja se dritarja nga e cila shihja botën përtej Shqipërisë ishte e ngushtë apo që bota ishte aq e madhe dhe e pakapshme. Përkundrazi, më ushqyen imagjinatën, kuriozitetin dhe kurajën për të arritur aty ku potenciali im mund të më çonte. Mendoj se prindërit shqiptarë në përgjithësi janë për t‘u admiruar për mbështetjen dhe sakrificat që bëjnë për edukimin e fëmijëve e tyre, dhe kjo është vërtet diçka e rrallë.
KultPlus: Keni pasur rastin të udhëtoni edhe në pjesë tjera të globit, ku dhe keni takuar individë të ndryshëm. Çfarë ruani në vete nga këto udhëtime?
Udhëtimi është një pjesë e pandarë e identitetit tim dhe mendoj se është një nga format më të mira të edukimit që një individ mund të marrë në këtë jetë. Udhëtimi më bën të ndihem më pranë vetes, më të lirë dhe më zgjon imagjinatën si asgjë tjetër. Gjithashtu, mendoj se të udhëtuarit e bën njeriun më të thjeshtë dhe më të ndjeshëm, të zhveshur nga paragjykimet. Udhëtimet e mia janë të shoqëruara me histori të panumërta, madje edhe tani që po hedh këto mendime po buzëqesh teksa kujtoj aventura dhe eksperienca shumë të veçanta. Shpresoj që një ditë t’i hedh të gjitha këto kujtime në një libër.
KultPlus: Keni intervistuar mbi 112 viktima të luftës së Kamboxhias, ku 1/4 e popullsisë është shfarosur. Mund të na flisni për përvojat tuaja në këtë rast gjatë procesit post-konfliktual?
Gjatë punës time kërkimore shkencore në Kamboxhia unë kam zhvilluar intervista me gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës, avokatë që kanë përfaqësuar viktimat si palë civile në proceset penale pranë gjykatës speciale për Kamboxhian në Phnom Penh, si dhe mbi 112 viktima të Khmerit të Kuq (një regjim genocidial të udhëhequr nga Pol Pot në vitet 1975-1979 ku rreth 2 milionë njerëz u vranë dhe u zhdukën). Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e pasur hulumtuese, po aq edhe e vështirë nga pikëpamja psikologjike dhe emocionale. Ndryshe nga eksperienca e të punuarit në Tribunalin e Hagës ku si jurist ti veproje brenda strukturave të gjykatës dhe ishe në njëfarë mënyre “i mbrojtur”, si studiues i pavarur je gjithmonë më i ekspozuar nga pikëpamja emocionale dhe të duhet të përballesh me sfidat e të intervistuarit të viktimave në shtëpitë e tyre si dhe pranë komunitetit ku ata bëjnë pjesë. Kjo është një përvojë që më mësoi shumë edhe nga pikëpamja kulturore dhe etnografike. Për më tepër unë zhvillova punë kërkimore në një shoqëri kryesisht budiste në një kulturë të largët nga kultura ime e origjinës. Një detaj i vogël për kuriozitetin e lexuesve tuaj, unë përpara çdo interviste me viktimat të cilat u zhvilluan përgjithësisht në pagoda (tempuj budhist) i ofroja bukë Budhës përpara se të filloja intervistat, duke respektuar zakonet dhe ritualet e vendit. Unë i detyrohem shumë të gjithë atyre viktimave të cilat i dhanë një dimension tjetër punimit tim shkencor dhe vetëm mund të shpresoj që me punën time t’i jap zë zërit të tyre, dhimbjes dhe thirrjes së tyre për drejtësi.
KultPlus: Siç dihet, në Hagë është një gjykatë speciale. Si e përkufizoni atë?
Besoj së këtu i referoheni Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë ose siç njihen ndryshe “Dhomat e Specializuara” dhe “Zyra e Prokurorit të Specializuar”. Unë jam kritike për mënyrën se si u konceptualizua dhe u ngrit kjo gjykatë, për strukturën, përbërjen, juridiksionin dhe mbi të gjitha pasojat që kjo gjykatë mund të ketë jo vetëm për Kosovën por dhe rendin e drejtësisë ndërkombëtare penale. Mendoj se kjo gjykatë e zvogëlon autoritetin e pushtetit gjyqësor si dhe cenon edhe sovranitetin e Kosovës.
KultPlus: Gjatë këtij rrugëtimi keni pasur gërshetim të momenteve të bukura dhe sfidave?
Të gjitha udhëtimet në të cilat kam kaluar janë karakterizuar nga një gërshetim i momenteve të bukura dhe sfidave. Nuk do ta preferoja ndryshe, pasi sfidat të mësojnë shumë më tepër për disiplinën, aftësinë dhe forcën shpirtërore për t’u përballur me vështirësitë dhe për të vlerësuar procesin dhe rrugëtimin për të arritur tek rezultati i duhur. Është si eksperienca e maratonës të cilën unë në fakt e kam realizuar një herë në Berlin në vitin 2010, dhe i kam shumë të freskëta ndjesitë fizike dhe emocionale që përjetova atë ditë, edhe pse përfundova në spital mbasi kalova vijën e finishit. Nuk dua të them që çdo eksperiencë duhet të përjetohet si një maratonë, por unë personalisht e ndjej veten më mirë në këto dimensione dhe në këtë balancë midis përpjekjes dhe arritjes.
KultPlus: Rrugëtimet intelektuale janë çdoherë të vështira dhe marrin goxha kohë. Si ka ndikuar tek ju ky rrugëtim? Ju ka privuar nga koha e lirë?
Mendoj se sekreti qëndron tek optimizmi i kohës që kemi në dispozicion, dhe gjetja e një balance midis punës, pasioneve dhe ajo çfarë na përmbush në aspektin intelektual, fizik dhe shpirtëror.
KultPlus: Po kohën e lirë si e kalon Ina, dëgjon muzikë? Shkruan? Apo tërhiqet nga ndonjë gjë tjetër?
Adhuroj muzikën klasike dhe ata që më njohin, mund të më quajnë një ndjekëse “të sëmurë” të operës. Ndjej një kënaqësi të veçantë kur shoh në skenë mikeshën time shumë të mirë, Ermonela Jaho, jo vetëm një nga sopranot më të mira sot në botë, por edhe një njeri me shpirt shumë të bukur. Më pëlqen tenisi dhe luaj sa herë të kem mundësi. Adhuroj të bërit zhytje për qetësinë mendore që më dhuron dhe bukurinë e pakrahasueshme nënujore, dhe të bërit ski për adrenalinën dhe sensin e lirisë që më ofron. /KultPlus.com