23 Dhjetor, 2021 - 3:48 pm
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një natë të magjishme të promovimit të filmit shqiptar në New York. Gazetarë, shkrimtarë, poetë, veprimtarë të shquar në komunitet, mësues, kineastë, studentë u bënë pjesë e një natë të paharruar artistike. Në emër të Vatrës përshëndeti të pranishmit kryetari i Degës së Vatrës Manhattan Agustin Mirakaj i cili ndër të tjera tha: “Urimet më të përzemërta për punën e shkëlqyer. Vatrës duhet ti bashkohet një përfaqësi e re artistësh elitë të fushës së aktrimit. Federata vatra do jetë mbështetëse e pakushtëzuar dhe frymëzuese në art dhe kulturë. Vatra do i mbështesë gjithmonë talentet shqiptare. Dega e Vatra Manhattan Branch falënderon regjisorin, grupin e tij të shkëlqyer për punën dhe devotshmërinë në realizimin e filmave të tyre. Filmi është pjesë e jetës, filmi është pasqyra e të shkuarës dhe historia që mund të tregohet ashtu siç është e vërteta. Filmi ngelet promotori i ëndrrave të pa treguara e shpesh edhe të pa jetuara. Ju uroj dhe përgëzoj për sukseset tuaja” u shpreh ndër të tjera Mirakaj.
Tri sekuencat filmike që u shfaqën në Vatër filluan me dokumentarin mbi Persketutimin e femrës shqiptare në regjimin komunist. Ambasadori i artit shqiptar, mjeshtri i nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, Bujar Alimani shpalosi për të pranishmit punën e shkëlqyer të kineastëve të rinj shqiptarë, vlerësimet e punëve të tyre artistike dhe mbi të gjitha rolin e artit e filmit në shoqëri, dhe vështirësitë e realizimit, mjeshtritë e karaktereve dhe nevojën që shteti e shoqëria të investojë dhe te zhvillojë artin e kulturën. Dëshmitë rrëqethëse të persekucionit, jeta e mundimshme në internim, lufta e klasave, hakmarrja e sistemit monist mbi gratë dhe fëmijët ishin një pikë reflektimi mbi të gjithë të pranishmit mbi dhunën e torturën e regjimit totalitar mbi shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha nevojën për dekomunistizimin dhe shkëputjen përgjithmonë nga diktatura.
Një natë speciale që iu kushtua kineastëve të rinj shqiptarë në New York, Erald Kraja dhe Savina Alimani të cilën shfaqën për publikun dhe komunitetin shqiptar në New York dy filma me metrazh të shkurtër të vlerësuar maksimalisht në Universitet ku ata kanë studiuar. Eraldi dhe Savina janë dy talente shumë premtuese dhe me të ardhme të sigurtë në botën e filmit. Dy studentët shqiptarë të sapodiplomuar në Departamentin e Filmit ne Brooklyn Film College dhe Hunter College në New York, prezantojnë filmat e tyre të diplomës ku në qendër të realizimit artistik janë histori urbane që ndodhin në Metropolin Amerikan, njerëz në kërkim të identitetit dhe konfliktet që burojnë nga botë të ndara dhe mirësia që i superon dhe i zbut këto konflikte në një shoqëri globale.
Ky aktivitet u moderua nën përkujdesjen e veçantë dhe pjesëmarrjen e kineastit të vlerësuar ndërkombëtarisht Bujar Alimani dhe producentin të suksesshëm Damian Pervizi. Aktiviteti ngjalli shumë interes tek të gjithë të pranishmit për fuqinë e mesazheve artistike që dha për publikun, kureshtjen te të pranishmit, mjeshtrinë e realizmit dhe mbi të gjitha krenarinë e “markës” shqiptare të prodhimit të filmit./ KultPlus.com