Me moton “Bukë, krip e zemër”, më 26 tetor nisin ‘Javët e Kulturës Shqiptare në Austri’

12 Tetor, 2020 - 3:47 pm

Medina Pasoma

Hapësirat publike dhe kulturore të Austrisë ndër vite kanë qenë vendtakim i mërgimtarëve tanë dhe të huajve. Edhe këtë vit, ata do të bashkohen për të promovuar dhe për të ndjerë emocionet që iu fal arti, kultura dhe tradita shqiptare përgjatë organizimit ‘‘Javët e Kulturës Shqiptare‘‘, shkruan KultPlus.

Kultura dhe arti do ta dëshmojnë fuqinë e tyre duke u sfiduar me pandeminë nëpër botë, ndërkaq ‘‘Javët e Kulturës Shqiptare‘‘ do të fillojë rrugëtimin për këtë vit me datë 26 tetor në Ditën Nacionale të Austrisë, duke vazhduar me aktivitete edhe përgjatë festës kombëtare 28 Nëntorit dhe duke përmbyllur edicionin e sivjetmë me Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt.

Njëri nga organizatorët e “Javëve Kulturore Shqiptare”, Ermal Vejsa për KultPlus shprehet se arsyeja e përzgjedhjes së Ditës Nacionale të Austrisë si datë e nisjes, përkon me shtetin ku ata veprojnë dhe zhvillohen, ndërkaq nuk do të mund ta linin anash edhe kremtimin e dy pavarësive të shteteve shqiptare.

Programi 2020-2021

‘‘Ndërsa vet datat e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës, si festat më të rëndësishme kombëtare, padyshim që duhej të bëheshin pjesë e festimeve dhe promovimit të kulturës shqiptare në Austri’’, vazhdoj tutje Ermal Vejsa.

Organizatorët këtë vit kanë vendosur që ta kenë si moto thënien e njohur shqiptare „Bukë, krip e zemër‘‘, që për Vejsën nënkupton një përfaqësim të mirë të kulturës shqiptare.

‘‘Kjo shfaq më së miri shpirtin e vërtetë të popullit tonë, të cilin ndër shumë vlera të tjera e karakterizon bujaria, mikpritja e dashamirësia, dhe këto cilësi tonat duhet të promovohen gjithnjë e më shumë tek komuniteti austriak dhe komunitetet e tjera në Austri‘‘, shprehet Ermal Vejsa për këtë moto.

Ekspozite – Alketa Xhafa Mripa – 2019 (1)

Të mallëngjyer me vendin e tyre, mërgimtarët shqiptarë dhe të huajt e interesuar do të bashkohen në ‘‘Javët e Kulturës Shqiptare‘‘ në koncerte muzikore, orë letrare, shfaqje teatrore, turnir futbolli dhe shahu, panair me punime dore, festë me veshje tradicionale, ecje dhe aktivitete sportive në natyrë, të gjitha këto falë punës së shoqatave të cilat janë anëtare të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri

Organizimi i gjithë këtyre aktiviteteve në kushte pandemie, padyshim që ka qenë një sfidë për organizatorët, duke marrë parasysh edhe limitimin e numrit të vizitorëve, distancën sociale dhe higjienën e vazhdueshme që duhet ta mbajnë. Mirëpo, shteti austriak këtë vit ishte edhe më mbështetës për këtë kategori.

Koncert – Hapja e Javeve – 2019

‘‘Në këtë periudhë të vështirë pandemie, Komuna e Vjenës doli me moton ‚Mbani distancë, por jo ndaj kulturës‘ (gjr: ‚Halten Sie Abstand, aber nicht zur Kultur‘) dhe pasiqë komuniteti artistik është prekur më së shumti nga kjo situatë e vështirë, institucionet shtetërore austriake vendosën të mbështesin edhe më shumë financiarisht aktivitetet kulturore‘‘, shprehet organizatori Vejsa.

Aktiviteti i parë që do t’i hap dyert për audiencën do të jetë Koncerti ‘Classic meets Ethno’ më 26 tetor, i cili do të gërshetoj muzikën klasike dhe atë etno. Kjo natë muzikore do të bëj bashkë në skenë artistë shqiptarë të Austrisë, të cilët kanë fituar nam në botën e artit dhe të cilët e kanë konceptuar vetë koncertin. ‘Classic meets Ethno’ do të jetë i këndshëm për publikun nën praninë e Flaka Gorancit si mezzosoprano, Eno Peçit në cilësinë e koreografit dhe balerinit, Rina Kaçinari e cila do të këndoj dhe do të prezantohet si çelliste, Zamir Kabo në piano dhe artisti i cili vie nga Londra me violinën e tij, Aurel Qirjo.

‘‘Tek artistët mbizotëron një frymë mjaft pozitive e bashkëpunimit dhe të paktën që nga fillimi i verës janë në komunikim intensiv mes veti dhe tanimë programi artistik i krijuar nga ta është i finalizuar dhe mezi presim edhe ne si organizator edhe ata vet si krijues të artit, që ta paraqesim para publikut’’, shprehet Ermal Vejsa për atmosferën e bashkëpunimit.

Nata Përmbyllëse – Offchestra – 2018

 Ajo që do ta bëj të veçantë këtë edicion, do të jetë organizimi i një panairi të punëdores me fokus gratë dhe fëmijët. Sipas Vejsës, kjo kategori ka qenë prioritet për ta, andaj prezantimi i punimeve të tyre do të bëhet më 17 shkurt 2021, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në zonën e 10 të Vjenës, përkatësisht në sheshin ‘’Columbus Platz’’.

‘’Në panair do të ftohen gratë së bashku me fëmijët që të prezantojnë punimet e tyre të dorës të çfarëdo natyre, si punime artizanale, ushqime tradicionale, veshje e punime artistike. Do të krijohet një infrastrukturë për prezantimin dhe shitjen sa më të mirë të këtyre produkteve si dhe për aktivitete muzikore përcjellëse’’, sqaron Ermal Vejsa për aktivitetin i cili do të përmbyll ‘’Javët e Kulturës Shqiptare’’.

Përveç kremtimit të Pavarësisë së Kosovës, organizatorët janë kujdesur që fëmijëve prezent t’ia bëjmë edhe më të bukur këtë ditë, duke ju bërë dhuratë libri ‘’Uta e Maleve’’ të alpinistes Uta Ibrahimi.

Koncert – Shkelzen Doli dhe Flaka Goranci – 2019

Ndërkaq, ajo që i ka bërë organizatorët të pandalshëm në sjelljen e edicioneve të vazhdueshme padyshim që ka qenë përkrahja institucionale, duke përfshirë ato të Austrisë si dhe ambasadat e shteteve shqiptare. Mirëpo, ajo që ka përbërë kulmin e motivimit të tyre kanë qenë reagimet e pjesëmarrësve, të cilët edhe dëshmojnë se ky organizim po ka ndikim kulturor.

‘’Për momentin forma e vetme përmes së cilës mund të masim sadopak ndikimin e këtyre aktiviteteve, është përmes përgjigjeve gjithnjë e më të mëdha e më pozitive që marrim nga vizitorët, nga rritja e vazhdueshme e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj nëpër këto aktivitete’’, thekson Ermal Vejsa.

‘’Javët e Kulturës Shqiptare’’ si organizim promovues i traditës dhe kulturës shqiptare do të nis më 26 tetor, duke qenë e mbushur me aktivitete për mërgimtarët dhe të huajt deri më 17 shkurt të vitit 2021./KultPlus.com

Koncert – Grupi Saz’iso – 2018
Nata e Filmit, DokuFest 2017
Ekspozita, Jakup Ferri 2017
Nata-Permbyllese-Grupi-Deti-2016
Ekspozita-Majlinda-Kelmendi-2016

Të ngjajshme