4 Tetor, 2017 - 12:02 pm
Aty ku para tre vjetësh filloi aktivitetin e saj, në shtëpinë e kulturës Mütze në Köln, shoqata kulturore URACult organizoi koncertin “URACult Authentics” me programin e të cilit edhe një herë vërtetoi nivelin e lartë të eventeve të saj, përcjellë KultPlus.
Nëpërmjet solistëve Alma Bejtullahu nga Lubjana dhe Driton Gashi nga Recklinghausen të përcjellë me piano nga Kushtrim Gashi nga Darmstadt-i, morën të pranishmit në një rrugëtim muzikor nëpër trojet shqiptare. Repertori i tyre përmbante këngë tradicionale shkodrane, beratase, elbasanase e gjakovare,disa prej tyre të kompozuara qysh në shekullin e XIX.
Këngët shkodrane “Për mu paska qenë kismet” apo “N’jat zaman t’asaj furie” nga Palokë Kurti, “Merak unë t’u bana” e muzicientit gjakovar Mazllum Myezini apo “Kur perëndon dielli” e Leonard Dedës ishin vetëm disa nga ato këngë nga thesari i pasur i këtij zhanri muzikor shqiptar që ka një vlerë të veçantë kulturore. Interpretimi i shkëlqyer i këngëtarëve Bejtullahu e Gashi si në solo si në duet u shpërblyen me duartrokitje të gjata nga publiku.
Driton Gashi prezantoi edhe këngë të albumit të tij të ri “Shtegtar” i cili përmbante këngë me tekste të Dritëro Agollit, Jusuf Gërvallës dhe Faruk Tashollit. Shumë emocional ishte interpretimi i këngës “Do të kthehem nënë” së Jusuf Gërvallës e në fund të koncertit u prezantua edhe videoklipi i këngës “Prishtina ime”.
Ndërkohë, më 14. Tetor URACult organizon edhe një mbrëmje teatrore ku do të shfaqet “Një shfaqje me katër aktorë…” e Jeton Nezirajt./KultPlus.com