18 Nëntor, 2024 - 1:40 pm
Qerim Kryeziu
Të shtunën në mbrëmje, u realizua me sukses në Malmö të Suedisë Festivali i njëzet jubilar i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë. Edicioni i parë i këtij Festivali u mbajt njëzetetre vjet më parë, më 3 nëntor 2001 po në Malmö. Duke mos llogaritur kohën e pandemisë, Festivalet u realizuan vit për vit, në tetor ose nëntor, gjithmonë në nderim të festave kombëtare: 28 Nëntorit (të Parit e të Dytit), Ditës së Alfabetit, ditëlindjes së Adem Jasharit, dhe shfaqjes publike të UÇK-së. Nëse marrim në konsideratë vazhdimësinë njëzetvjeçare të këtij Festivali, prurjet poetike e interpretative muzikore që solli, rezulton se Festivali i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, i përkrahur në vazhdimësi, përveç shtetit suedez edhe nga institucionet shtetërore të Kosovës, është padyshim, njëri nga Festivalet kulturore më prestigjioze në gjithë gjeohapësirën e mërgatës sonë në Europë. Ky Festival tuboi gjatë viteve bashkatdhetarë nga gjithë Skandinavia e vende tjera të kontinentit. Ndër vite, festivalin e kanë mbështetur mërgimtarë e autoritete kulturore si: Ahmet Bella, Sadulla Zendeli-Daja, Ullmar Qvick, Fikrije Bajraktari, Hajdin Abazi, Rabe Kilaj e shumë tjerë. Se fundmi dukej puna e palodhshme e anëtarëve aktual të kryesisë së Unionit si: Fevzi Ademi, Rabe Kilaj, Feriz Ferizi, Jashar Jashari, Beqir Shaqiri, Naim Brahimi etj. në krye me sekretarin organizativ Ahmet Bellla që punuan me përkushtim për këtë edicion jubilar. Nga viti 2012 e këtej, kanë kontribuar pa përtesë me moderim, ide e dizajnim të broshurave e materialeve tjera informative të Festivaleve qifti Gala dhe Qerim Kryeziu.
Rrjedhave të Festivalit të njëzet
Më 16 nëntor 2024, herët në mëngjes, para portave të kështjellës madhështore të qytetit të Malmös, filluan të valojnë hareshëm cepat e kuq të flamurit tonë kombëtar. Me ngritjen e flamurit tonë kombëtar mes dy flamujve suedez, qyteti i Malmös nderonte ditën e prezantimit të poezisë e muzikës shqiptare mu në qendër të qytetit më të madh jugor të Suedisë- në Sortorget 2. Salla, funksionale që nga viti 1546, me enterier të epokës së renesancës nordike, e stolisur me piktura të jashtëzakonshme të regjentëve danezë e suedezë, ishte bërë gati që në mesditë për pritjen e mysafirëve shqiptarë e suedezë. Në orën 16:00 “Landstingssalla” u mbush përplot publik, përveç poetëve, interpretuesve e instrumentistëve që kishin ardhur nga Suedia, Danimarka, Norvegjia, Gjermania, Belgjika, Kosova e Shqipëria.
Festivali i 20-të u realizua në dy pjesë, të parën që u zhvillua në sallën e lartpërmendur (“Landtingssalën”) dhe të dytën që vazhdoi punimet në sallën e “Folket Hus-it” . Në pjesën e parë u lexuan dhjetë poezi dhe u interpretuan njëmbëdhjetë pjesë muzikore instrumentale e operistike.. Poezitë i lexuan : Elhame Zhitia, Rizah Sheqiri, Muhamet Krasniqi, Xhevrije Kurteshi Nimani, Sevdail Zejnullahu, Qefsere Bardiqi- Domi, Feride Istogu- Gillesberg, Pranvera Drita Gjoni , Saliha Kodra Rama dhe Burim Paci.
Luajtën në piano instrumentistët: motrat Qarri, Artemida e Elizabeta Qarri ( pjesët e kompozitorëve Vasil Tole “Bach – pentatonic “ dhe Cloude Debussy Pettite Suite “En Bateau”, pjesët e Johannes Brahms “Danses Hongonses” nr 1,5 dhe 8 Astor Piazolla), Philip Kang (këngët “Yllin e pashë shumë të madh” , “Arbëri” dhe “Dardania” të kompozitorit Ahmet Bella, arien “Ombra mai fu” e G.F. Hendel, Vigjilencë Islami u prezantua me veprat e “Bilbili në fluturim” Gjon Gjevelekaj dhe përcolli në piano veprat e kompozitorëve Carl Reinecke, Sami Piraj, Lola Gjoka dhe Sh.V Ratkoceri) dhe flautistja Diana Jashari ekzekutoi baladën për flaut të kompozitorit Carl Reinecke. Pjesët muzikore i kënduan: Kaltrina Miftari (“Njat zaman të asaj furie”, “Atdheu” të Sami Pirajt, “Dardania” të Ahmet Belles), Safet Berisha ( “Moj e bukura More”, arien “Ombra mai fu”) , Feride Istogu-Gillesberg ( “Eja vashë”), Maria Herlin (“Yllin e pashë shumë të madh”, “Dardania”), Mea Sethson (“Yllin e pashë shumë të madh”, “Arbëri”, “Dardania”).
Juria e festivalit e përbërë nga Hajdin Abazi, Shaban Krasniqi e Feriz Ferizi nda dy medaljone me emblemën e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi. Për poezi më të mirë shpërblye poeti Riza Sheqiri, për vepër muzikore kompozitori Sami Piraj .
Në pjesën e dytë të Festivali u promovuan dy vepra të reja të botuara kohëve të fundit, vepra e Rizah Sheqirit “Tiden leker inte alla sår” (Koha nuk shëron të gjitha plagët) për të cilën foli Sevdail Zejnullahu dhe vepra e Sami Pirajt “Jeta muzikore në Kosovë, përudha e de institucionalizimit” për të cilën folën Ahmet Bella e Feriz Ferizi. Për mbarëvajtje të pjesës së dytë, ku përfshihej promovimi, ndarja e medaljoneve, darka dhe argëtimi me këngëtarët Lindita Kryeziu e Beqir Shaqiri ndihmoi bashkatdhetari Arbnor Hoxha. Mbrëmjen miqësore e argëtuese bënë edhe më të bukur mysafirët nga Vushtrria me përfaqësuesit këngëtarë Shaban Krasniqi e Fazli Rashica nën përkujdesjen orkestrale të e Mit´hat Nikezit mërgimtar nga qyteti i Malmös.
Nderuan me pjesëmarrje në festival: ambasadorja e Shqipërisë në Suedi Albana Dautllari, koordinatori për Diasporën në Ministrinë e Punëve të Jashtme Besnik Desku, përfaqësues të subjekteve politike suedeze – nënkryetari i komunës së Landskronas Fatmir Azemi), të shoqatës kulturore polake si dhe një delegacion i komunës së Vushtrrisë në krye me kryetarin Ferit Idrizi.
Festivalin e 20-të jubilar e moderuan Gala e Qerim Kryeziu.
Qerim Kryeziu / KultPlus.com