15 Korrik, 2019 - 7:00 pm
Me sloganin “Një got’ për mot!” këtë vit nga 16 deri 18 gusht mbahet edicioni i 5-të i festivalit tradicional Hardh Fest n’Konak të Rahovecit (tek Shtëpia e Verës).
Në konferencën për media në kuadër të PRE Hardh Fest Party, drejtori i Bordit të Hardh Fest, Agron Sokoli si dhe drejtori kreativ, Agi Haxhimurati, shpalosën sloganin e Hardh Fest 2019, “Një got’ për mot!” si dhe programin e festivalit.
Përveç idesë prapa sloganit dhe aktiviteteve tradicionale, në konferencë u prezantuan edhe disa aktivitete të reja që do të mbahen sivjet, siç janë, veç tjerash “Be Hardh Fest”, “Hardh Eks”.
Drejtori i Bordit të Hardh Fest, Agron Sokoli theksoi se këtë vit festivali do të mbahet jo në shtator si vite më parë, por më 16, 17 dhe 18 gusht.
Mbajtja e festivalit në verë, ka qenë kërkesë e madhe e mërgatës nga Kosova, ndërsa, sipas Sokolit në festivalin e sivjetshëm do të marrin pjesë edhe turistë të huaj nga Japonia, Amerika dhe Zvicra.
“Aktivitet janë tradicionale të Hardh Fest-it. Risi sivjet janë dy aktivitete që do të jenë ‘Be Hardh Fest’, ku do të marrin pjesë ndërkombëtarët, të cilët mund të përjetojnë një ditë duke vjelë rrush, po ashtu është ‘Hardh Eks’ ku do të ketë gara për pirjen e rakisë në gotën 003, do të jetë një atraktivitet më shumë se sa garë”, theksoi Sokoli.
Drejtori Kreativ, Agi Haxhimurati, shpalosi sloganin e Hardh Fest 2019, “Një got’ për mot!” si dhe programin e festivalit, sipas të cilit për sukseset e Hardh Fest njihen edhe ndërkombëtarët.
“Sivjet në pesë vjetorin e festivalit e lansojmë me sloganin ‘Një got’ për mot!’, një gotë për shumë shëndet, për të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe për të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e festivalit. ‘Një got’ për mot!’, për gjithë suksesin që ka përjetuar festivali që tashmë njihet edhe nga ndërkombëtarët”, deklaroi Haxhimurati.
Sipas Haxhimuratit në këtë 5 vjetor, Hardh Fest sjell një nga eksperiencat më të bukura jetësore për të gjithë ata që e vizitojnë festivalin, duke nisur nga mikpritja rahoveciane deri te Hardh Camp, e më pas ka aktivitete, të cilat synojnë promovimin e prodhimeve të rrushit. Festivali organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës.