Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kremtoi 20 vjetorin e themelimit

15 Dhjetor, 2021 - 1:08 pm

Në një ngjarje kulturore e artistike, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në praninë e qindra dashamirëve të artit të të shkruarit ka kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj pikërisht në Qendrën Kulturore Shqiptare “Illyria” në New York.

Në këtë përvjetor si asnjëherë më parë kishte pjesëmarrje edhe nga shtete të ndryshme në SHBA, si dhe shkrimtarë nga Kanadaja e Meksika. Ngjarja u nderua nga mysafirët e saj special, shkrimtari disident Visar Zhiti- Anëtar Nderi i shoqatës dhe Gjekë Marinaj, i cili është ndër themeluesit e parë të shoqatës, dhe President Nderi i saj. Kryetari aktual i shoqatës Mëhill Velaj, i cili e drejtoi programin, në fjalën e tij theksoi “Unë si kryetar i kësaj shoqate ju shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për punën e palodhshme të cilën e keni bërë dy dekada, në mënyrë që edhe këtu në Amerikën e largët të dëgjohet fjala shqipe, të zhvillohen veprimtari të ndryshme letrare e artistike edhe në kuadër të festave tona kombëtare e letrare artistike. Dinjiteti asnjëherë nuk ju mungoi, bashkë me kontributin tuaj dhe e bëtë pa hezitim e me plot vullnet. Kjo e bëri që Shoqata të funksionojë pa vështirësi, gjë që jam krenar me ju se pa ju dhe angazhimin tuaj, puna individuale nuk do të sillte suksese të cilat po i shohim sot e do t’i shohim edhe më shumë në të ardhmen e afërt e sidomos kur kjo shoqatë, po përqafon në gjirin e saj edhe shumë anëtarë të rinj të cilët po i bashkohen shoqatës sonë. Të bashkuar do të arrijmë suksese edhe më të mëdha”.


Në fjalën e tij presidenti i shoqatës Adnan Mehmeti duke i përshëndetur të pranishmit foli për arritjet e shoqatës në këto dy dekada, duke vënë theksin tek botimi i revistës periodike “Pena” dhe botimet e një pas njëshme të anëtarëve të shoqatës. Ai përmendi se librat e anëtarëve të shoqatës shpërndahen rregullisht nëpër bibliotekat e shoqatave të ndryshme shqiptare në SHBA, nëpër bibliotekat amerikane e deri tek Biblioteka e Kongresit Amerikan.
Me nga një fjalë përshëndetëse u paraqitën Visar Zhiti, anëtar nderi i shoqatës dhe shkrimtar i njohur, Gjekë Marinaj, kryetari i parë i shoqatës, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Frymëzim Isufaj, këshilltari shqiptar i New Yorkut Mark Gjonaj, kryetari i “Vatrës” Elmi Berisha, Skendër Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, poeti nga Kanadaja Shani Pnishi, producenti Bujar Alimani, studentja Ilva Xhaferri, ndërsa Enkeleda Çelaj – Mundija, e bija e të ndjerit poetit Luigj Çekaj recitoi në kujtim të tij një poezi të poetit Luigj Çekaj. Me recitale të ndryshme u paraqitën aktorët e njohur në komunitetin shqiptar të Amerikës: Halil Tetaj, Shaban Lajçi dhe Avni Abazi.

Në këtë vit jubilar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë prezentoi para publikut edhe anëtarët e rinj të saj: Elida Rusta, Arjana Fetahu- Gaba, Ibadete Humolli- Tetaj, Monda Hamitaj, Prend Ndoja, Engjell Zerdelia, Hamide Shabani, Fjorela Forde, Merita Prenga dhe Hamit Alaj.

Në 20 vjetorin e saj Shoqata e Shkrimtarve Shqiptaro Amerikanë ndau edhe çmime:

Çmimi “Faik Konica”- Sevdai Kastrati

Çmimi “Fan Noli”- Julia Gjika

Çmimi “Peter Prifti”- Shaqir Salihu

Çmimi “Isuf Luzaj”- Kozeta Zylo

Çmimi “Arshi Pipa”- Arjeta Ferlushkaj

Çmimi “Rozi Theohari”- Ermira Mitre

Çmimi  “Agron Fico”- Bexhet Asani

Çmimi “Bilal Xhaferri”- Namik Selmani

Çmimi “Sami Repishti”- Luz Thaçi

Çmimi “Prenk Gruda”- Sabije Veseli

Çmimi “Luigj Çekaj”- Bora Balaj

Çmimi “Sotir Andoni”- Petraq Risto

Çmimi “Seladin Velaj”- Gjeto Turmalaj

Çmimi “Valter Lazeri”- Eleonora Gjoka.

Edhe ish- editori i gazetës “Dielli” Dalip Greca, i cili për vite ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i tyre, ka uruar shkrimtarët e kësaj shoqate për përvjetorin e saj: “Ndjehem mirë që në këto dy dekada të udhëtimit të shoqatës kam qenë bashkë me shoqatën në shumicën e veprimtarive të organizuara, në panaire, në promovimet e shumta, madje dhe bashkë organizator me “Vatrën” e “Diellin” në disa prej promovimeve siç ndjehem mirë që në bibliotekën më të pasur të komunitetit, në bibliotekën e “Vatrës” është krijuar këndi i krijueseve të Diasporës sonë në SHBA. Ndërkohë gazeta “Dielli” ka qenë e hapur online dhe në shtyp për shoqatën siç ka qenë “Vatra” një shtëpi libri me dyer të hapura për promovime”- thuhet ndër të tjera në urimin e tij.

Të ngjajshme