30 Prill, 2021 - 1:33 pm
Suela Jorgaqi pasi mbaroi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë për gjermanisht, vendosi të vijoi më tej studimet në Zvicër. Pas përfundimit të studimeve vendosi që jetën e saj ta ndërtonte në Zvicër. Aty krijoi dhe familjen e saj të re me bashkëshortin zvicerian. Prej nentë vitesh Suela Jorgaqi është drejtuese e Blibliotekës Pestalozzi në Zvicër. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” Jorgaqi tregon se ndihet shumë e lumtur kur institucioni që ajo drejton vizitohet nga fëmijë shqiptarë. Gjithashtu ajo flet edhe për programin e zhvillimit të gjuhës së nënës, duke e konsideruar këtë të fundit si gjuhë bazë formimi për çdo individ.
Ju jeni drejtuese e Bibliotekës Pestalozzi në Zvicër që nga themelimi i saj. Si nisi puna juaj në këtë pozicion dhe sa e realizuar ndiheni?
Tashmë u bënë 9 vite që jam në krye të këtij institucioni të rëndësishëm siç është biblioteka e Zyrihut ku kam përjetuar eksperienca nga më të ndryshmet, të cilat më kanë rritur profesionalisht, por edhe shpirtërisht. Në këto vite jam vënë në rolin e menaxheres, psikologes, mësueses, kontabilistes, përkthyeses, animatores, etj., sepse kjo është biblioteka, një vend ku i përjeton të gjitha këto. Biblioteka jonë është një vendndodhje për të gjitha evenimentet, aq më tepër në kohën e Koronës, ku njerëzit kanë nevojë për më shumë mbështetje si edhe një vend për t’u argëtuar. Kështu që ndihem e realizuar, megjithëse të realizuarit nuk ka fund. Por sfidat nuk më mungojnë dhe kur më mungojnë unë kërkoj të reja.
Të jesh çdo ditë në kontakt me librat dhe njerëz që e duan librin, çfarë ndjesie ju përcjell?
Ndjesi pozitive. Si drejtuese e bibliotekës Pestalozzi Hardau të Zyrihut, një nga 14 bibliotekat e Zyrihut, bëj një punë shumë interesante dhe të larmishme nga pikëpamja profesionale, por edhe të dobishme për shoqërinë, sepse kam mundësinë t’i lidh librat me njerëzit. Dhe kështu përfitojnë të gjithë.
Pastaj përveç librave në 12 gjuhë të ndryshme, ne ofrojmë dhe oferta dixhitale, si ebooks, pressreader për revista online edhe streaming për filma dhe muzikë. Përveçse drejtuese e bibliotekës Hardau unë jam përgjegjese për të gjitha aktivitetet në të gjitha 14 bibliotekat Pestalozzi. Kemi edhe programe për nënat me fëmijë jo vetëm në gjermanisht, por edhe në shqip dhe gjuhët e tjera, për të zhvilluar gjuhën e nënës. Dhe sipas një studimi nga PISA thuhet se një fëmijë apo i rritur që nuk zotëron gjuhën e nënës, e ka të vështirë të mësojë me rrënjë një gjuhë të dytë. Sepse integrimi fillon nga gjuha dhe kjo është gjithashtu një detyrë e bibliotekës.
Në këtë bibliotekë gjenden gjithashtu mbi 2000 libra në gjuhën shqipe. Sa tërhiqen nga shqiptarët në Zvicër?
Shumica e shqiptarëve këtu janë nga Kosova. Brezi i parë nuk lexon shumë, por të rinjtë dhe fëmijët lexojnë, ndoshta më shumë gjermanisht sesa shqip, sepse është gjuha që mësojnë të shkruajnë. Ka shumë fëmijë shqiptarë që vijnë këtu, dhe kjo më gëzon.
Sigurisht që ka lexues të rregullt që e frekuentojnë shpesh bibliotekën, por unë do doja që të gjithë ta dinin për bibliotekën tonë. Kjo është edhe çështje marketingu. Jo te gjithë shqiptarët që jetojnë ne Zyrih e njohin ose kanë dëgjuar për ofertat tona. Prandaj shpresoj që portalin tuaj ta lexojnë sa më shumë njerëz dhe të afrohen sa më tepër lexues.
Kush janë autorët shqiptarë që preferohen më shumë?
Po Kadareja mbetet i kërkuar. Pastaj ka edhe njerëz që preferojnë autorët e rinj shqiptarë ose të përkthyer. Kongoli është gjithashtu në listën e blerjeve të mia, sepse e pëlqej edhe vetë.
Sa e përfshirë jeni në aktivitetet e Diasporës në Zvicër?
Jam në kontakt të ngushtë me ambasadën shqiptare në Bern. Edhe kur erdhi ministri Majko, isha e lumtur që e prita unë më parë këtu në bibliotekën tonë. Por mundohem t’u ofroj të gjitha shoqatave një vend në bibliotekë, sepse këtu kemi vend dhe hapësirë për të bërë çdo lloj aktiviteti. Edhe koncerte edhe mbrëmje kemi mbajtur në biblotekë. Madje edhe Inva Mula ka qenë e ftuara ime speciale, aktivitet që u shoqërua edhe nga TV Klan.
Cila është historia juaj e emigrimit dhe sa i vështirë ishte fillimi?
Identiteti i shqiptarëve është komplikuar vitet e fundit, jetojmë në katër anët e botës, flasim e ëndërrojmë në gjuhë e struktura të ndryshme. Unë ndihem qytetare evropiane, por me rrënjë të qëndrueshme shqiptare. Burri im është zviceran, djali im flet shumë bukur edhe shqip, mikeshat dhe miqtë e mi janë zvicerane, shqiptare, portugeze, italiane, spanjolle.
Personalisht isha e privilegjuar, sepse mbarova në Tiranë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për gjermanisht dhe direkt më pas erdha për t’u shkolluar në Zvicër. Diploma për “Shkencën e Informacionit dhe Dokumentacionit” që përfshin edhe bibliotekat, më hapi rrugën për të punuar në këtë institucion ku unë jam e vetmja drejtuese e huaj. Por puna ime e parë ishte në sindikatën me të madhe zvicerane, “Unia”, ku jo vetëm njoha më mirë Zvicrën nga ana politike dhe sociale, por krijova edhe disa nga kontaktet e mia më të mira, që i kam edhe sot. Aty pata mundësitë të perfeksionoj edhe gjuhët e tjera, si spanjisht dhe italisht, që janë pasioni im i hershëm.
Do kishit dashur që karrierën tuaj ta ndërtonit në vendlindje?
Mua nuk më pëlqen shumë t’i humb shanset, kështu që po, ia bëj vetes këtë pyetje. E mendoj shpesh çfarë do kisha bërë në Shqipëri, sidomos kur jam me shoqet e mia aty. Unë mendoj se në çdo vend të botës mund të ndihesh mirë, nëse ke rrethin e duhur afër vetes dhe bën diçka që të pëlqen. Por po të isha në Tiranë do kisha dëshirë të riorganizoja Piramidën për ta kthyer në një qendër interesante kulturore: edhe mund të ëndërrojmë, apo jo?
Çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja?
Deti, peshku, familja, shoqet e mia, pastat tek pastiçeri Zagoria… / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com