26 Janar, 2019 - 2:17 pm
Fëmijët e moshës 11-vjeçare po merren nën përkujdesjen e shtetit në Britani të Madhe për shkak të varësisë së krijuar nga përdorimi i kompjuterit, telefonit dhe lojërave të ndryshme. Rastet e rralla janë shënuar në Yorkshire, Gloucestershire dhe Londër.
Besohet që këto raste janë të parat e këtij lloji që janë ndërmarrë nga autoritetet. Disa prej fëmijëve janë larguar nga familjet për shkak të varësisë së krijuar me vetëdëshirë, ndërsa të tjerët për shkak se prindërit e tyre i kanë lënë anash ata për shkak se ata vetë kanë luajtur këso lojërash.
Ekspertët i kanë paralajmëruar prindërit që t’i përcjellin më tepër shenjat e varësisë nga lojërat e internetit, ku përfshihet largimi nga shoqëria dhe humbja e interesit për hobet e mëparshme. “Ky problem është duke u rritur. Fëmijët po merren nën përkujdesje të shtetit dhe unë nuk jam i befasuar për këtë”, tha Mark Griffiths, specialist i varësisë së sjelljeve nga Universiteti i Nottinghamit.
Ai ka thënë se prindërit e shqetësuar për sjelljet e fëmijëve të tyre duhet t’i dërgojnë ata te psikologu klinik për t’u këshilluar. Në qershor të vitit të kaluar, mjekët njoftuan se do ta lansojnë një program për luftimin e varësisë nga interneti, por ai ende nuk është miratuar nga sistemi shëndetësor. Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka futur varësinë nga lojërat kompjuterike në listën e çrregullimeve psikike, shkruan “Daily Mail”. /insajderi