27 Nëntor, 2020 - 3:16 pm
Njohja e trashëgimisë kulturore dhe vizitat nga afër të monumenteve të ndryshme, është një prej pikave kyçe për zhvillimin kulturor tek fëmijët.
Duke pasur parasysh këtë, Akademia e fëmijëve “Loja” e ka kurrikulën e përpiluar në atë mënyrë që gërsheton të gjitha temat me rëndësi gjatë tërë vitit. Një ndër temat është edhe trajtimi i simboleve kombëtare, trashëgimisë kulturore dhe identitetit të vendit tonë.
Andaj, në kuadër të programit të tyre, pragu i festës së 28 Nëntorit u pa si më i miri për një vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, një thesar ky antik brenda Kosovës.
“Koha më e përshtatshme për këtë vizitë ishte në pragun e festës së 28 nëntorit. Gjithashtu ambienti i jashtëm, gjatë kësaj kohe pandemie ishte ideale për realizimin e kësaj vizite. Secila vizitë që është realizuar deri më tani, me fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç, ka ardhur si rrjedhojë e temave dhe ngjarjeve të rëndësishme, kulturore dhe edukative në qytet”, ka thënë drejtoresha e Akademisë së fëmijëve “Loja”, Xheri Deshishku.
Iniciativa të tilla kulturore duhet të merren më shpesh për fëmijët sepse edhe sipas drejtoreshës, fëmijët mësojnë më shumë duke i parë e bërë gjërat vetë.
“Duke pasur parasysh që fëmijët mësojnë më shumë duke i bërë gjërat vetë, sigurisht që vizitat e tilla kontribuojnë më shumë që fëmijët të mësojnë gjërat konkretisht dhe duhet të realizohen sa më shpesh që është e mundur. Gjatë vitit, “Loja” realizon deri në 20 vizita jashtë shkollës së saj, të cilat janë shndërruar në traditë dhe fëmijët gjithmonë i gëzohen këtij procesi të udhëtimit në grup dhe e mbajnë mend përgjithmonë”, pohon Deshishku.
Sipas drejtoreshës, fëmijët gjithmonë i mirëpresin vizitat e tilla, e sidomos këtë vizitë, e cila ishte në ambient të hapur dhe kishte liri të lëvizjes.
“Përveç mësimeve rreth simboleve, traditës së lashtë, arkitekturës dhe elementeve të tjera që u njoftuan gjatë vizitës, ata ishin kureshtarë edhe për bimët dhe shpezët që rastësisht i gjetëm në Park. Shumë shpesh ndodh që fëmijët krijojnë mundësi të reja të të mësuarit gjatë një vizite dhe orientojnë vizitën në disa dimensione, sikurse në këtë të fundit”, tregon kështu Deshishku për këtë vizitë që do të mbetet gjatë në mendjen e fëmijëve.
Iniciativa të tilla, duhet të bëhen shembull edhe nga të tjerët sepse njohja e trashëgimisë kulturore është është shumë e rëndësishme për identitetin e secilit. / KultPlus.com