Cili është libri më i mirë për fëmijë në Shqipëri?

6 Mars, 2018 - 8:20 pm

Një bashkëpunim në mes të shkollave nga Evropa ka sjellë një rezultat fantastik për ata që e duan letërsinë për fëmijë.

Shkollat nga Bullgaria, Polonia, Greqia, Portugalia, Spanja, Lituania dhe Çekia kanë punuar së bashku për projektin “READ AND SHARE” – ku kanë analizuar librin më të mirë për fëmijë në disa prej shteteve të Evropës, shkruan KultPlus.

“Pipi Çorapegjata” është libri më i mirë për fëmijë nga Suedia, ndërsa “Princi i Vogël” është libri më i mirë për fëmijë i shkruar në Francë, nga Exupery.

Në Belgjikë, libri më i mirë për fëmijë është “Aventurat e Tin Tinit”, e në Itali libri më i mirë është “Aventurat e Pinokios” nga Carlo Collodi, ndërsa në Shqipëri del se libri më i mirë është “Aventurat e Çufos” me autor Gaqo Bushakën.

Gaqo Bushaka është një nga autorët më të suksesshëm në Shqipëri. Ka kontribuar në lëvrimin e një lloj përralle “të re” për fëmijët që e bën të pëlqyeshme dhe tepër interesante. Ka lëvruar prozën e gjatë, dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar përmbledhje të suksesshme përrallash si Arushi që kërkonte babanë, Në ishullin e dallëndysheve, Amaneti i dhelprës, dhe Përralla u la për nesër. Vepra që e bëri tepër të njohur ishte trilogjia Aventurat e Çufos e përbërë nga përrallat Çufoja dhe Bubi kaçurrel, Pushimet e Çufos, Çufoja në shtëpinë e çudirave. / KultPlus.com

Të ngjajshme