11 Dhjetor, 2017 - 4:28 pm
“Don Kishoti” dhe aventurat e tij është shfaqur nëpërmjet kukullave këtë fundvit në Teatrin Metropol.
Vepra e njohur e Servantesit është premiera e re për fëmijë në këtë teatër që është ngjitur në skenë për publikun e vogël në datën 2 dhjetor dhe do të vazhdoj çdo fundjavë deri më 17 dhjetor.
“Don Kishoti” është vënë për herë të parë në skenë nëpërmjet kukullave, një eksperiencë e re për teatrin, e sjellë nga regjisori Klajd Ymeri,dhe nën interpretimin e aktorëve Klaudja Piroli, Ismail Shino, Xhulia Musagalliu, Kristo Bace, Armando Mehmeti, Aurora Qazimi.
Sipas regjisorit, komedia me kukulla “Don Kishoti” është konceptuar jo si një teatër tradicional kukullash, por në pjesën më të madhe të shfaqjes ato komunikojnë si të ishin aktorë real.
“Rrëfenjat janë ndërthurur në një bosht të vetëm në marrëdhënien midis dy personazheve kryesor, Don Kishotit dhe Sanços, në ndërthurje me të gjithë personazhet e tjerë në të pesë ngjarjet e kësaj komedie”, thotë Ymeri.
“Don Kishoti është një zotëri nga Spanja, I cili pasi kishte lexuar shumë libra mesjetare kalorsiake vendos të bëhet dhe ai një kalorës. Kështu merr shpatën dhe mburojën dhe del në kërkim të aventurave, bashkë me mikun e tij fshatar Sanco Pançon, të cilit i premton zotërime pa fund pas fitoreve të tyre. Ai lë çdo gjë nga jeta e tij në emër të të dashurës, Dulqinjës së Tobozos.
Bashkë me Sançon kërkojnë aventura, por shumë herë ato i shkojnë për ters. Në fund të veprës, Don Kishoti vdes si pasojë e temperatures dhe rrëfyesi, të cilit Servantesi thotë se i ka dëgjuar historinë, del dhe thotë se pas vdekjes së Don Kishotit, nuk pati me asnjë kalorës, shkruan atsh./ KultPlus.com