4 Shtator, 2017 - 4:14 pm
“Tungjatjeta…jetë” do të sjellë portrete të fëmijëve me aftësi të kufizuara, realizuar nga fotografi Bevis Fusha, që përçojnë jo vetëm mesazhe të forta, por edhe emocion e shpresë.
Mbrëmja e sotme do të dhuroje emocione pafund për artdashësit kryeqytetas, të cilët do të kenë mundësi të jenë të pranishëm në ambientet e Pazarit të Ri, ku do të çelet edhe Festivali i Rinisë për Drejtësinë Sociale.
Të ftuar speciale të Festivalit do të jenë edhe ambasadoret e WV, Arlinda Çausholli, Luiza Gega dhe këngëtarët Kamela Islamaj, Orgesa Zaimi, Vitmar Basha e mjaft të njohur të tjerë.
“Ajo nuk lëvizi kurrë nga vendi ku e linin, nuk e ktheu as kokën. Nuk pa e as nuk preku asnjë lodër. Kur e laja, ajo nuk reagonte. Imangjino, as uji nuk e trembte. U thoja të gjithëve: Mos ka ndonjë problem çupa?” -tregon mes lotësh Adriana. Ajo tregon se kur vajza lindi, çdo gjë shkoi normalisht. E vogla qau sapo erdhi në jetë, por me kalimin e muajve qetësia e saj nisi ta shqetësojë. “Më thonin është fëmijë i urtë. Ma thonte zemra…diçka nuk shkonte… derisa një ditë, kur ishte 10 muajshe e morëm çupën në krahë dhe e shpumë në spital. Doktori na tha se kishte zhvillim të vonuar” – tregon mes lotësh Adriana.
Gabriela dhe familja e saj jetojnë në Skroskë të Librazhdit. 15-vjeçarja ka nevojë për logopedi, që të mund të komunikojë me njerëzit që e rrethojnë, të paktën me disa fjalë, shkruan ATA.
“Vajza ka nevojë edhe për fizioterapi që të mund të ecë më mirë. Ka nisur të përmirësohet. Më parë nuk i lëshonte gjërat nga dora. Tani i them: Si e ke mësuar tek qendra? Gjërat janë të të gjithëve dhe i lëshon. Ka filluar të më bindet disi”- tregon e ëma./ KultPlus.com