11 Gusht, 2018 - 7:28 pm
Alberina Haxhijaj-Prizren
Foto: Sovran Nrecaj
Në Sheshin Shatërvan në Prizren ka ardhur sot performanca e fëmijëve të cilët kanë qene pjesë e punëtorisë së vallëzimit “Pasqyra” në kuadër të DokuKids, shkruan KultPlus.
Rreth 50 fëmijë të moshave të ndryshme duke filluar nga 6-10 vjet kanë qenë pjesë e punëtorisë “Pasqyra” ku së bashku me koreografin Prek Memaj duke filluar nga 4 gushti kanë përgatitur vallëzim.
Fëmijët pjesëmarrës, shumica e të cilëve nuk kanë vallëzuar më parë, arritën që të shfaqnin ato që i kanë mësuar gjatë këtyre ditëve duke reflektuar edhe ndjenjat e tyre përmes vallëzimit. Ata tërhoqën vëmendjen e të pranishëmve përmes hapave që realizonin por edhe përmes muzikës së zgjedhur me kujdes që dëgjohej në qendër të qytetit.
Koreografi Prek Memaj për KultPlus u shpreh i lumtur me rezultatin e fëmijëve dhe me paraqitjen e tyre.
“50 % e fëmijëve e kanë pasur takimin e tyre të parë me vallëzimin e sidomos me pjesën e baletit, por ata e kanë bërë një punë shumë të mirë. Sigurisht që ka pasur disa pengesa, ngurrime dhe më shumë emocione por e mira ishte që ata ishin vetvetja, ashtu siç janë. Kjo ju shërben si përvojë e re edhe me skenën, vallëzimin si dhe ndikon edhe në socializimin e fëmijëve”, theksoi ai.
Koreografia e fëmijëve përfshinte disa këngë të ndryshëm duke përfshirë këtu edhe këngën “I’ll be your mirror”, kënga frymëzuese e këtij edicioni të festivalit DokuFest. Po ashtu të inkuadruar në koreografi ishin edhe rrethi dhe pasqyra, e cila po zë vend të veçantë në këtë edicion të festivalit, i cili në qendër të tij e ka ‘Reflektimin’.
“E mira e gjithë kësaj është se në DokuKids kemi përdorur muzikë klasike për këtë performancë. Shumica e njerëzve që kanë kaluar sot këndej janë interesuar se nga po vjen muzikë pasi që muzika që zakonisht lëshohet nëpër lokalet afër Shatervanit është ajo popullore”, tregoi Memaj.
Punëtoria ishte një trajnim intensiv i vallëzimeve përshtatur për fëmijët që dëshironin të zhvillonin aftësitë e tyre të vallëzimit./ KultPlus.com