29 Prill, 2018 - 12:43 am
Gili Hoxhaj
South Outdoor Festival tashmë është në ditën e dytë derisa po shënon rrugëtimin e edicionit te dytë të Festivalit. Ky festival që ngërthen shumë aktivitete sportive, kreative dhe kulturore dhe si i tillë ka mbledhur mjaft shumë vizitorë rreth vetes, të cilët po e gjejnë veten në fusha të ndryshme. Fshati Vuno që është në afërsi të Himares, këtë vit është epiqendra e këtij edicioni, ndërsa në shumë vende rreth Himarës po zhvillohen aktivitetet të këtij festivali. Arkitektura e veçantë e kësaj zone e veçmas e fshatit Vuno po e bën edhe më të paharruar eksperiencën që ky festival po e sjellë. Pozita gjeografike po i jep edhe më shumë gjallëri aktiviteteve të këtij edicioni.
E veçanta e këtij festivali është se ka mbledhur rreth vetes njerëz të moshave te ndryshme duke u dhënë të gjithëve mundësinë që ta përjetojnë një përvojë te paharruar nga ky vend e festival. Shumë fëmijë sot kanë shijuar atë çfarë ka përgatitur ky festival për ta. Me këngë, poezi e shumë lojëra atraktive, e aktivitete artistike ata kanë vallëzuar e shprehur kreativitetin e tyre.
Një pjesë e trajnerëve të Qendrës Sportive “Smart”, janë pozicionuar në një ambient të fshatit Vuno, prej nga shihen shumica e ndërtesave të këtij fshati. Përmes eksperiencave të tyre, ata po i njoftojnë të pranishmit më mënyra te ndryshme te argëtimit dhe aktiviteteve sportive.
Njëri nga trajnerët e kësaj Qendre është edhe Gentian Vuca i cili tha për KultPlus se këto aktivitete janë mjaft të rëndësishme për shkak se i njoftojnë turistët dhe shqiptarët me natyrën e kësaj zone dhe gjatë kësaj kohë të jenë edhe sa më aktiv përmes lojërave të ndryshme.
“Ne ofrojmë aktivitete sportive për fëmijë të grupmoshave të ndryshme dhe duke iu përshtatur edhe terenit malor, ne përpiqemi që tu ofrojmë gjithë sigurinë fëmijëve në mënyrë që të kënaqen sa më tepër në këtë aktivitet. E veçanta e kësaj është se edhe të rriturit po bëhen pjesë e aktiviteteve në lojëra të ndryshme dhe sfidat po rriten nga momenti në moment ndërsa po vijnë secilën herë e më tepër njerëz andaj po e shfrytëzojmë sa më shumë këtë dite të bukur”, u shpreh ai për KultPlus.
South Outdoor Festival po ashtu mbrëmë ka sjellë edhe një koncert të mrekullueshëm të “Tre muskutierëve”, duke e bërë kështu këtë edicion të paharruar. Edhe sot pritet që të ketë mjaft shumë aktivitete për pjesëmarrësit e këtij festivali. / KultPlus.com