10 Maj, 2018 - 12:30 pm
550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, i kthyer tashmë edhe në një tur aktivitetesh për shkak të shpalljes së vitit 2018 dhe si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, ka marrë vëmendje të madhe edhe nga nxënësit e shkollave.
Në këtë kuadër Muzeu Historik Kombëtar dhe shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” organizuan një aktivitet mbi figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëri që fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë të mund të realizojnë krijime origjinale siç ata e përceptojnë Heroin Kombëtar.
Fëmijët e talentuar të frymëzuar nga historia e betejave dhe ngjarjeve të rëndësishme të kohës, por dhe armët e përkrenarja e tij, kishin përgatitur punime të realizuara në pikturë dhe një program festive-edukativ me dramatizime, këngë e valle patriotike dhe ese mbi figurën e Skënderbeut.
Aktiviteti që u zhvillua edhe nën moton “Edukimi mbi dhe përmes kulturës”, u organizua nën kujdesin e Sektorit të Programeve Edukative. Në emër të drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, aktivitetin e përshëndeti dhe specialistja e Sektorit të Programeve Edukative, Sonjela Babaliu, e cila falenderoi shkollën “Jeronim De Rada” për bashkëpunimin./ Ata/ KultPlus.com