Florentina Ademi sjell “Përshëndetje Fëmijë”, projekt dedikuar fëmijëve për zhvillimin dhe mësimin e gjërave të reja

13 Nëntor, 2024 - 7:49 pm

Aktorja e njohur shqiptare, Florentina Ademi Beck, e cila tashmë jeton dhe vepron në Los Angeles, pas shumë projekteve të suksesshme, së fundi ka filluar një projekt të ri që quhet “Pëshëndetje Fëmijë”, që është një projekt me përmbajtje edukative. Duke prekur tema të ndryshme që ndikojnë në mësimin e gjërave të reja dhe zhvillimin e fëmijëve, Ademi me projektin e ri e bën më të lehtë këtë proces.

Deri tani, në platformen “Youtube” janë publikuar tri episode të këtij projekti, që i dedikohen numrave, shkronjave dhe këngës.

Në një intervistë për KultPlus, aktorja Ademi ka treguar se ideja për këtë projekt ka ardhur nga një dëshirë e madhe për të krijuar përmbajtje edukative në gjuhën shqipe për fëmijët.

“Vura re që shumë përmbajtje edukative në internet janë kryesisht në gjuhë të huaja dhe fëmijët shqiptarë shpesh nuk kanë mundësi të mësojnë në gjuhën e tyre amtare përmes videove të dizajnuara për ta”, u shpreh Ademi.

Tutje, ajo tha se ka parë nevojën që edhe fëmijët e saj të mësojnë në gjuhën shqipe dhe për këtë arsye ajo ka vendosur që të krijoj një projekt, që jo vetëm që të mësojnë për numrat e shkronjat por edhe që të ndihen të lidhur me gjuhën dhe kulturën e tyre.

“Ky projekt u krijua kryesisht nga un dhe Skender Beck. Unë interpretoj , ndërsa Skenderi është përgjegjës për të gjithë punën kreative—nga idetë, kamera, regjia, montimi, dizajni, animacionet, muzika deri te tekstet e këngëve. Është një projekt që është punu me shumë dashuri dhe përkushtim”, tha aktorja.

Sa i përket episodeve që kanë filluar të publikohen, Ademi u shpreh se është planifikuar  që në total të publikohen rreth 24 episode, të cilat parashihet të mbulojnë tema të ndryshme, por që nuk përjashtohet mundësia që ky numër të rritet në bazë të reagimeve dhe kërkesës së prindërve por edhe fëmijëve.

“Qëllimi është të ofrojmë një spektër të gjerë temash që do të përfshijnë bazat e arsimit parashkollor, nga numrat dhe shkronjat deri te format, planetët dhe konceptet e tjera themelore,por natyrisht gjithnjë duke ndjekur reagimet e publikut, mund të shtojmë edhe tema të reja që janë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve”, tha ajo.

Ndërsa, duke qenë se projektet e tilla zakonisht po realizohen në gjuhë të huaja dhe jo në atë shqipe, Ademi na tregoi se ky projekt është mirëpritur shumë mirë. Ajo u shpreh se ka marrë shumë mesazhe me urime dhe lëvdata nga prindër që vijnë nga shumë shtete të botës.

“Në kohën e sotme, shumë prindër shqiptarë janë të shqetësuar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre dhe dëshirojnë që fëmijët të kenë një lidhje të fortë me gjuhën amtare. Në tregun e sotëm të përmbajtjes për fëmijë, shumica e materialeve janë në anglisht apo në gjuhë të tjera të huaja. Prandaj, “Përshëndetje Fëmijë” është një mënyrë që prindërit të kenë një alternativë edukative cilësore në shqip. Shpresojmë që projekti të jetë një urë lidhëse ndërmjet brezave, duke e bërë mësimin në gjuhën shqipe një eksperiencë të këndshme dhe të rëndësishme për fëmijët”, shtoi aktorja Ademi.

Siç edhe dihet, cdo ditë e më shumë po bëhet e pamundur që fëmijët t’i mbajmë larg ekraneve dhe tashmë në rrjete sociale ka shumë llojshmëri të programeve që ndiqen nga mosha të ndryshme. Sa i përket “Përshëndetje Fëmijë”, Ademi u shpreh se është një projekt i dedikuar për fëmijët e moshës 3 deri në 8 vjet.

“Përmbajtja është dizajnuar që të jetë e lehtë për t’u ndjekur nga fëmijët e vegjël, ndërkohë që prindërit mund të jenë bashkë me ta gjatë shikimit. Kjo ndihmon që edhe prindërit të bëhen pjesë e procesit edukativ”, tha ajo.

Programet për fëmijë mund të përmbajnë tema të ndryshme, të cilat ndikojnë pozitivisht në  zhvillimin e tyre. Tri episodet e para të publikuara i janë kushtuar numrave, shkronjave dhe këngës, dhe sa i përket atyre të radhës, Ademi tregoi se do të ketë tema të ndryshme.

“Episodet e ardhshme do të përfshijnë ngjyrat, format gjeometrike, planetet, kafshët, pemët, perimet, stinët e vitit, ditët e javës dhe gjithashtu konceptet sociale si miqësia e të tjera. Kemi në plan të përfshijmë edhe tema të thjeshta të shkencës, siç janë elementet natyrore, për të nxitur kuriozitetin tek fëmijët për botën përreth tyre. Përmes këtyre temave, synojmë t’u ofrojmë fëmijëve njohuri të dobishme, ndërkohë që i mbajmë të angazhuar dhe të argëtuar”, shtoi aktorja e njohur.

 Duke e ditur se ajo se çfarë po shohin fëmijët në ekrane, po ndikojnë në mënyrën se si i përceptojnë gjërat dhe se efekti mund të jetë jo gjithmonë më i miri, varësisht nga ajo që iu servohet, Ademi tha se kanë për qëllim që videot të kenë efekt pozitiv dhe të nxisin dëshirën për të mësuar në mënyrë të natyrshme.

“Duke përdorur ngjyra, muzikë dhe personazhe tërheqëse, synojmë të përfshijmë fëmijët emocionalisht në përvojën e të mësuarit. Shpresojmë që, përveç njohurive bazë, këto video të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive si përqendrimi, dëgjimi aktiv dhe ndërtimi i vetëbesimit për të mësuar gjëra të reja”, shtoi ajo.

Duke i marrë shembull fëmijët e saj, aktorja u shpreh se ka provuar që t’u lexojë libra në gjuhën shqipe atyre, por që ky emision duket se po bën një magji që i tërheq ata natyrshëm drejt të mësuarit.

“Kjo mënyrë i angazhon ata më shumë dhe i motivon të eksplorojnë konceptet e reja me kureshtje dhe dëshirë për të mësuar”, u shpreh aktorja.

“Për të mësuar më shumë rreth projektit dhe për të ndjekur episodet e reja të “Përshëndetje Fëmijë,” vizitoni faqen tonë të internetit ku mund të gjeni informacione shtesë mbi çdo episod dhe qëllimet tona edukative. Gjithashtu, na ndiqni në kanalin tonë zyrtar në YouTube për t’u abonuar dhe për të parë videot e reja sa më shpejt që publikohen. Jemi të hapur për komente dhe sugjerime nga prindërit, të cilët mund të na kontaktojnë drejtpërdrejt në YouTube për çdo pyetje apo ide që mund të kenë”, tha Ademi në fund./KultPlus.com

Të ngjajshme