23 Korrik, 2018 - 6:05 pm
Kampi veror “ARTivizmi edukativ” ka mbledhur rreth vetës 100 fëmijë të kategorive të ndjeshme sociale me ç’rast u zhvilluan dhjetëra aktivitete me karakter edukativ, socializues dhe argëtues, përcjellë KultPlus.
Organizata joqeveritare “ETEA” me përkrahje financiare të “Terre des hommes” po e implementon projektin Kampin veror “ARTivizmi edukativ” në Komunën e Prishtinës, projekt ky që synon ndërgjegjësimin e fëmijëve përfitues rreth rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve, duke ndikuar kështu në parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe fuqizimin e të drejtave të fëmijëve.
Në kuadër të kampit veror po marrin pjesë 100 fëmijë, përzgjedhja e të cilëve është bërë duke bashkëpunuar me SOS Fshatrat e Fëmijëve, Qendrën për Punë Sociale, SHFMU-të Asim Vokshi, Emin Duraku, Qamil Batalli, Zenel Hajdini, etj.
Kampi ka filluar me datë 19 korrik, dhe do të mbyllet më datë 24 korrik 2018 kur edhe do të shfaqet për publikun programi artistik i fëmijëve, përgatitur nga këta të fundit me përkrahjen e stafit të ETEA-s.
Ky program do të zhvillohet në Qendrën e Komunitetit “Termokiss” duke filluar nga ora 15:00, dhe do të përmbajë ekspozitë, dramë, tregime dhe poezi, vallëzime moderne, balet, këngë, punë-dore, video-storie, dhe storie qe do të tregohen aty për aty nga fëmijët e që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e fëmijëve brenda institucioneve edukativo-arsimore, etj.
Të gjitha këto janë përgatitur përgjatë ditëve të kampit, përmes punëtorive të organizuara brenda kampit, siç janë: punëtoria për letërsi, punëtoria për pikturë, punëtoria për aktrim, punëtoria e aktivizmit dhe ajo e avokimit.
Gjithsesi, kampi që po zhvillohet tash e disa ditë, përveç punëtorive dedikuar programit artistik, ka përmbajtur edhe aktivitete tjera psiko-sociale për të cilat animatorët e kampit mbajtën trajnime specifike të organizuara nga “Terre des hommes”. Në anën tjetër, kuptohet se nuk munguan as aktivitetet argëtuese, përkatësisht lojërat si: futbolli, volejbolli, topi i dëshirave, pantonima, telefoni i prishur, etj. / KultPlus.com