25 Korrik, 2018 - 4:35 pm
Ka filluar kampi i “Super-Vullnetarëve” me 40 të rijnë nga Kosova, të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë duke punuar në realizimin e projekteve vullnetare përmes së cilave do të përmirësojnë shkollat publike në Kosovë, përcjellë KultPlus.
Të rinjtë pjesëmarrës në kamp, përmes aktiviteteve socializuese dhe edukative do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre të punës me dru, komunikimit dhe bashkëpunimit. Ata po ashtu do të kontribuojnë në komunitet duke ndërtuar orendi të ndryshme për përmirësimin e dy klasave të shkollave fillore “Sezai Surroi” në fshatin Bellobrad, Dragash dhe “Liria” në fshatin Stroc, Vushtrri.
Kampi i “Super-Vullnetarëve” organizohet nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA dhe ka për qëllim të zhvilloj te pjesëmarrësit kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, po ashtu synon që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive tek të rinjtë.
Ky kamp financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi po ashtu përkrahet nga organizata mjedisore WWF Adria dhe Komuna e Prishtinës.
Kampi ka filluar më datë 24 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 korrik. /KultPlus.com