20 Dhjetor, 2018 - 1:30 pm
Fondacioni Mute në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës mbajnë aktivitetin përmbyllës të projektit “Unë/ty, dashuri në paketë”, të premten më 21 dhjetor nga ora 14:00-15:00 në Swiss Diamond.
Në këtë aktivitet të pranishmëve do të t’iu drejtohen presidentja e fondacionit, Florie Bajoku, drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj dhe Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në FSK, Hajrush Kurtaj. Në këtë ceremoni do të ketë edhe një program artistik nga trupa e baletit për fëmijë “Studio Rudina” dhe Ansambli i Tunxhit Prishtina Brass.
Projekti “Unë/ty, dashuri në paketë” u organizua për herë të tretë dhe kishte për qëllim mobilizimin e fëmijëve të moshave 4-11 vjeç për të përgatitur dhuratat e fundvitit për bashkëmoshatarët e tyre në nevojë. Këtë vit u mblodhën 4 mijë dhurata nga nxënësit e shkollave të Prishtinës, nga stafi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe nga studentët e kolegjit Heimerer, të cilat me ndihmën e FSK-së u shpërndanë në familjet e varfër.
Ky është projekt humanitar dhe edukativ, që iu ofron fëmijëve mundësinë të shprehin përkujdesjen e tyre dhe dhembshurinë për fëmijët e familjeve të varfëra apo ata me nevoja të veçanta, si dhe të promovojë aftësitë e fëmijëve që të bëjnë ndryshime
“Unë/ty, dashuri në paketë” është iniciativë e dy artisteve, Florie Bajoku dhe Irena Cahani, të cilat arritën që ta institucionalizojnë këtë projekt humanitar përmes bashkëpunimit të rregullt me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës./KultPlus.com