10 Korrik, 2017 - 11:47 am
DokuFest ka shpallur sot programin e filmave garues për edicionin e 16-të, i cili do të mbahet nga data 04 – 12 gusht në Prizren, Kosovë.
Festivali do të shfaqë 102 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 50 shtete – përfshirë dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Tetë filma në kategorinë kombëtare poashtu do të kenë premierën botërore në festival.
Filma dokumentar të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni, me një numër të filmëbërësve që rikthehen të cilët do të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival dhe filmëbërës të rinjë puna e të cilëve është përfshirë nëpër seksionet garuese.
Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World, programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘E ardhmja’, programin retrospektivë të një filmëbërësi të rëndësishëm amerikan si dhe programet tjera speicale.
“DokuFest është i vendosur të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe unë besoj që filmat në kategoritë garuese janë po ajo!. Ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, tha drejtori artistik i festivalit Veton Nurkollari./ KultPlus.com