28 Dhjetor, 2022 - 9:30 am
Më 28 dhjetor 1895, vëllezërit Lumière shfaqën publikisht disa filma të xhiruar prej tyre në një kafene në Paris. Kjo datë shënon edhe lindjen e kinemasë, e cila me kalimin e kohës u përsos, si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe nga ajo artistike, duke zënë sot një vend të rëndësishëm në jetën e njeriut.
Auguste Lumiere bashkë me të vëllain Louis Jean ishin ndër kineastët e parë në histori. (Si për rastësi, Lumiere përkthehet ‘dritë’ në shqip). Për nder të tyre është pagëzuar edhe një asteroid.
Vëllezërit me vetëm dy vjet diferencë në moshë u shpërngulën në Lyon në vitin 1870, ku që të dy shkuan në shkollën “La Martine”, shkolla më e madhe teknike në qytet. I ati, Claude Antoine Lumiere ishte pronar i një firme fotografike dhe të dy vëllezërit punonin për të. U desh dalja në pension e të atit që vëllezërit të fillonin të krijonin filma. Ata u bënë zotërues të patentave të disa proceseve të rëndësishme që çuan në shpikjen e kameras.
Kinematografia u patentua më 13 shkurt 1895 dhe filmimi i parë i përket 19 marsit 1895. Ky filmim i parë shfaq punëtorët që dalin nga fabrika “Lumiere”.
Kinematografia e Louis Lumiere, e cila u patentua në vitin 1895, ishte një kombinim i kamerës filmike dhe projektorit që mund të shfaqte imazhe lëvizëse në një ekran për një audiencë. Kinematografia ishte gjithashtu më e vogël, më e lehtë dhe përdorte më pak film sesa teknologjia e Edisonit.
Lumierët hapën teatrot (të njohura si kinema) në vitin 1896 për të treguar punën e tyre dhe dërguan ekipe kameramanësh në mbarë botën për të shfaqur filma dhe për të xhiruar materiale të reja. Në Amerikë, industria e filmit u ngrit shpejt.
Në 1896, Vitascope Hall, besohet të jetë teatri i parë në SHBA i kushtuar shfaqjeve filmike, i cili u hap në New Orleans. Në vitin 1909, The New York Times publikoi rishikimin e parë të filmit të D.W. Griffith, “Pippa Passes”. Në vitin 1911, u hap studioja e parë e filmit hollivudian dhe në vitin 1914, Charlie Chaplin bëri debutimin e tij në ekranin e madh.
Përveç Kinematografes, Lumierët zhvilluan gjithashtu procesin e parë praktik të fotografisë me ngjyra, pjatën Autohrome, e cila debutoi në vitin 1907. / KultPlus.com