6 Mars, 2024 - 4:30 pm
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujton sot regjisorin Viktor Gjika, Nderi i Kombit.
“Sot mbushen plot 15 vjet nga dita kur regjisori Gjika, realizuesi i disa nga filmave më të rëndësishëm e më përfaqësues të kinematografisë shqiptare, u nda nga ne duke lënë pas kryevepra të trashëgimisë filmike dhe karaktere të patriotit shqiptar, luftëtarit, njeriut të punës, apo heroit vetmohues, duke gdhendur në kujtesën kolektive pjesë domethënëse të së kaluarës sonë”, shprehet AQSHF.
Viktor Gjika lindi më 23 qershor 1937 në Korçë dhe vdiq më 3 mars 2009. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK në Moskë, për operator filmi. Së bashku me Dhimitër Anagnostin xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejit, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Rezistencë”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë”, “Vjeshtë e nxehtë e ’41-shit”, “Njerëz në rrymë”, dokumentarët “Unë jam Ismail Qemali”, “Kur ikin korbat (Kosovë)”, “Gjuhë që nuk vdes”, “Arti shqiptar në shekuj”, etj.
Gjatë gjithë karrierës Viktor Gjika realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Në vitin 1977 iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”.
Në vitin 2021 Viktor Gjika u vlerësua (pas vdekjes) me dekoratën e lartë “Nderi i kombit” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributet dhe meritat e jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare si operator, skenarist, regjisor e drejtues i spikatur dhe elitar i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Në vlerësim të vlerave kinematografike shqiptare që krijoi, si dhe përfaqësimit dinjitoz në ekranet botërore, duke ua përcjellë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, dashurinë dhe pasionin për filmin edhe brezave të rinj”. / atsh / KultPlus.com