20 Tetor, 2023 - 3:00 pm
Sot janë bërë 18 vite pa regjisorin e njohur Besim Sahatçiun. Gjyshi i Rita Orës ishte një personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare, shkruan KultPlus.
Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.
“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.
Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.
Sot, në këtë 18 vjetor e kujton edhe djali i tij Besnik Sahatçiu Ora në rrjetin e tij social, facebook.
“Përvjetori i 18 i Babës 02/10/1935—-20/10/2005″, shkruan Besniku.
Ndërsa Rita Ora kësisoj ka ndjekur rrugën artistike të gjyshit të saj dhe në disa intervista edhe e ka përmendur atë si një person prej të cilit ajo ka marrë forcë dhe është inspiruar.
Regjisori, Besim Sahatçiu, vdiq në vitin 2005. / KultPlus.com