22 Mars, 2022 - 7:30 pm
Sot shënohet 23 vjetori i vrasjes makabre të aktores Adriana Abdullahu, e cila u vra në mars të vitit 1999 nga sulmi i forcave serbe në një kafiteri në Prishtinë, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, shkruan KultPlus.
Adriana ishte një aktore e talentuar, plot jetë e e dashur për të gjithë. Kishte fatin të shëtiste botën dhe kjo e kishte kultivuar edhe më shumë personalitetin e saj kulturorë e social.
Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Adrianës, teatri i qytetit të Ferizajt që njëkohësisht mban emrin e aktores, e ka kujtuar atë përmes një postimi në facebook ku shprehin krenarinë e tyre që teatri mban emrin e aktores.
“PER ADRIANËN #23
Përvjetori i 23-të i vrasjes së Adriana Abdullahut nga forcat serbe në Prishtinë.
Sot, me krenari, Teatri në Ferizaj bart emrin e aktores së talentuar; koleges së dashur e plot dashuri; vajzës energjike e moderne – Adriana Abdullahut.
Adrianës tash e 23 vite më parë, iu shuan ëndrrat e një artisteje që në ato kohë të vështira krejt çfarë kishte mbetur ishin ëndrrat”. / KultPlus.com