25 Mars, 2024 - 11:25 am
Sot shënohet 39-vjetori i vdekjes së aktorit të njohur shqiptar, Sandër Prosi, i cili ka vdekur në vitin 1985, në moshën 65 vjeçare.
Ai ka lindur më 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, duke u bërë më vonë një prej aktorëve ikonë të teatrit shqiptar, dhe një ndër figurat që ka mbetur në arkivin e kinematografisë.
Sandër Prosi ka luajtur mbi 100 role me personazhe të ndryshme, që kanë mbetur në arkivin e Teatrit Kombëtar, duke filluar që nga fëmijëria të ëndërrojë për karrierën e tij si artist.
Ai ka mbaruar gjimnazin në Tiranë, ku ka marrë pjesë në dramën “Vilhem Teli” dhe më pas ka ndjekur studimet për stomatologji në Austri, duke i lënë në gjysmë që të kthehet dhe të merret me artin.
Kur u kthye, ai mori pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta.
Të gjithë filmat e tij, të cilët në numër janë 30, janë parë dhe pëlqyer nga shqiptarët, por ata që veçohen nga kolegët e tij janë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njerëzore, filmike dhe skenike.
Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos, personazh që iu deshën katër vjet për të arritur magjinë e tij, duke punuar shumë me vetën.
Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe, duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.
Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, e shumë vepra të tjera./ KultPlus.com