14 Korrik, 2022 - 12:48 pm
70-vjetori i Kinematografisë shqiptare mblodhi mbrëmjen e djeshme në një ceremoni festive aktorë, regjisorë, skenaristë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ish-Kinostudio, ishte e pranishme edhe ministrja Elva Margariti, e cila u shpreh se “Kinostudio prej vitesh nuk kishte përjetuar emocione të tilla”.
“U bëmë pjesë e një mbrëmjeje yjesh në 70-vjetorin e Kinostudios. Një mbrëmje-homazh për ata që nuk janë më dhe një falënderim për kineastë, aktorë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar. Një atmosferë e ngrohtë nën tingujt e kolonave aq të bukura zanore të kompozitorëve tanë të mëdhenj, interpretuar nga orkestra “Simfoart”, u shpreh Margariti.
70 vjet më parë u përurua Kinostudio “Shqipëria e re”, një kinema unike dhe e rëndësishme, që krijoi qindra karaktere, ilustroi mijëra vende e ngjarje. Sot ajo mbetet burim i rëndësishëm studimi për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të 70 viteve të fundit.
Filmi “Tana” është filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 1958 nga “Shqipëria Film”, e transformuar më pas në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Premiera e tij u shfaq më 17 gusht 1958. Filmi ishte me regji të Kristaq Dhamos, skenar të Fatmir Gjatës e Nasho Jorgaqit dhe muzika nga Çesk Zadeja.
Në rolet kryesore ishin aktorët Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka e Kadri Roshi. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tana përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj si dhe xhelozinë e Lefterit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.
Kinostudio “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë. Më intensive ka qenë veçanërisht periudha e viteve’70 -’80 kur prodhoheshin 13-14 filma në vit.
Kinostudio “Shqipëria e Re”, e kthyer në 1992 në Albafilm dhe e mbyllur përfundimisht në vitin 1996, la një trashëgimi prej rreth 200 filmash, shumica e të cilëve, të realizuar nën propagandën e kohës./ atsh / KultPlus.com