9 Prill, 2024 - 2:30 pm
I lindur në Milano në vitin 1933, Gian Maria Volontè studioi në Romë në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike, ku u diplomua në vitin 1957. Filloi të punonte në teatër dhe televizion, ku u vu re shumë shpejt si një nga aktorët më premtues të brezit të tij.
Pas disa roleve si joprotagonist, ai u bë i njohur me personazhin e Ramón Rojo në filmin “Për një grusht dollarë” (A Fistful of Dollars) i Sergio Leone-s. Ky sukses u dyfishua në filmin tjetër të të njëjtit regjisor, “Për disa dollarë më shumë” (1965). Dhjetë vitet e ardhshme do të ishin më intensivet e karrierës së Volontè.
L’armata Brancaleone (1966) me regjia të Mario Monicelli-t, ishte filmi italian më i suksesshëm i vitit, “Ne ende vrasim si dikur” (1967) me regji të Elio Petri, fitoi Grand Prix du Scenario në Festivalin e Filmit në Kanë dhe Volontè fitoi Nastro d’Argento-n e tij të parë (Fjongo e Argjendtë – çmimi më prestigjioz i aktrimit në Itali), në vitin 1970 për “Hetimi i një qytetari larg dyshimeve” (1970), duke e bërë atë një yll ndërkombëtar. Filmi fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë dhe dy Globe të Artë italiane.
Në vitin 1972, ai interpretoi në dy filma italianë si protagonist: “Klasa punëtore shkon në Parajsë” dhe “Çështja Mattei”. Të dy filmat fituan Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë, ku edhe Volontè u vlerësua maksimalisht nga kritika. Në jetën e tij, Volontè fitoi një numër të madh çmimesh dhe vlerësimesh të tjera, duke u bërë një nga aktorët italianë më të famshëm të viteve shtatëdhjetë dhe duke sfiduar Vittorio Gassman dhe Marcello Mastroianni-n si aktori më i njohur italian. Vdiq në Greqi në vitin 1994./ atsh / KultPlus.com