16 Shtator, 2023 - 8:00 pm
Era Berisha
Një temë tejet interesante që ka një potencial universal të arrirë është zbërthyer artistikisht nëpërmjet një skenari që shpërfaq një dimension ndryshe të baladës së njohur të Gëtes, “Erlkönig”. I tillë është rasti me filmin e metrazhit të shkurtër, “Ninullë” me skenar dhe regji të Adrian Asllanit, që erdhi sot si debutim në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘.
I realizuar në përmasa të larta artistike, filmi i zhanrit horror/thriller trajton raportin e një babai (Avni Dalipi) dhe birit të tij (Lis Kamberi) i cili në film na shfaqet me një “sëmundje” të zjarrmishme që i vlon nga brenda. Ndonëse raporti trajtohet në disa dimensione, ato që vihen në pah më shumti janë jeta reale dhe ajo halucinante, shkruan KultPlus.
Gjithçka nis në një shtëpi dhe gjithçka përfundon aty. Babai ka një punëtori të tijën në të cilën punon e gdhend kukulla të ndryshme të bëra nga materiale të ndryshme. Karakteri i vetë ambientit që na shfaqet në film, të bën të mendosh se diçka e tmerrshme, potencialisht do të ndodhë.
Loja e bukur që na dhuron aktori Avni Dalipi, e ndërthurur me vizionin vizual të regjisorit Adrian Asllani, ka krijuar një pikturë nëpër të cilën lëvizin mjeshtërisht fuqitë që kanë në vetvete mendimet e personazheve brenda filmit. Kuadrot shpeshherë të xhiruara nën drita të errëta, të japin imazhe fotografike, aq sa dialogët e pakta, nuk janë fare pengesë për të kuptuar thelbin e skenarit.
Bota emocionale dhe psikologjike e babait si dhe ajo e djalit të tij, janë aq të ndryshme nga njëra-tjetra, sa janë edhe të njëjta. Ai zjarri që eventualisht kuptohet si frika që e posedon djali nga “Mbreti i Zi”, në fakt është e vërtetë dhe s’janë vetëm ca ethe ashtu siç i percepton babai i tij.
Sipas baladës poetike të Gëtes, një burrë me djalin e tij të sëmurë në krahë, në një natë të stuhishme, hipin mbi kalë nëpër një pyll moçal. Legjenda me të njëjtin titull tregon për qenie misterioze e keqdashëse që shfaqen në zona moçalore dhe i çojnë njerëzit drejt vdekjes. Filmi e bën të njëjtën gjë por në mënyrë interpretuese krejtësisht ndryshe.
Vizitat keqdashëse të “Mbretit të Zi” e çojnë djaloshin drejt vdekjes, dhe në vdekje i bashkëngjitet motrave të tij. Veçse, “Mbreti i Zi” në këtë rast është vetë babai që shfaqet nëpërmjet dy personazheve kontraste, duke injoruar kështu ethet e djaloshit, e duke e dërguar atë drejt vdekjes.
Në filmin “Ninullë”, përkundër baladës origjinale, errësira dhe ndriçimi i zdritshëm janë dy elemente që lëshohen bukur. Veprimet e zëshme dhe dramatike të ndërthurura me shumë pak tekst, të japin një ndjesi të hovshme për të parë fundin. Fokusi në marrëdhënien babë e djalë jepet në mënyrë aq brilante, saqë ndjenjat si dhimbja, tmerri e befasia lirshëm hyjnë në shpirtin e pranishëm të secilit prezent.
Regjisori Adrian Asllani debutoi me një film që ka një interpretim origjinal, ndonëse inspiruar nga një baladë. Fokusi i tij përfshin guxim të paparë për të sjell diçka të tillë para publikut kosovar.
Filmi brenda hapësirës së Kino Armatës nisi fiks në orën 17:20, por paraprakisht në skenë doli e gjithë ekipi. Fjalën i pari e mori, regjisori dhe skenaristi i filmit “Ninullë”, Adrian Asllani.
“Në emër të krejt ekipit, dua të ju falënderoj juve që keni ardhur me shiku filmin, një film të cilin e kemi krijuar me shumë përkushtim. Ka qenë filmi im i parë i xhiruar në Kosovë dhe për mua ishte një eksperiencë që më ka bërë shumë përshtypje. Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj ekipit dhe falënderues ndaj PriFest-it që më mundësoi hapësirën për debutimin e filmit. Por më së shumti, dua të falënderoj Vjosa Berishën, pa të cilën nuk do të ishte e mundur formimi i një festivali kaq të madh. Falënderoj edhe Fatosin, për vazhdimin e kësaj trashëgimie.”
Ndërsa, për KultPlus regjisori Adrian Asllani specifikoi idenë e tij për të krijuar diçka të tillë, deri tek shpalosja e premierave të radhës nëpër vende të ndryshme të botës.
“Ideja ka ardhur prej leximit të baladës së Gëtes që moti, dhe mendova se si ta krijoj një skenar që e ri-interpreton këtë baladë, dhe jo të jetë e njëjta, por më origjinale në aspektin filmik, andaj edhe gati hiç nuk ka dialog. Jam munduar që më së shumti me veprime ta tregoj të gjithë këtë histori. Njëkohësisht, jam munduar që t’i mbaj pezull pikëpyetjet që i shtron vetë balada. Ndonëse është një baladë, kam dashur që filmin ta quaj ninullë për shkak se edhe filmi është njëfarë ninulle. Ninulla i është kënduar edhe fëmijëve të vdekur, andaj e kam përdoru në këtë kontekst”, thotë ai.
Sipas tij, përzgjedhja e aktorëve ka shkuar mjaft mirë. Ka menduar që aktori Avni Dalipi i është përshtatur këtij lloji të filmit mjaft mirë, për shkak të syve sepse për regjisorin, sytë gjithmonë tregojnë një botë të brendshme.
“Filmin e kam dërguar në disa festivale. Fillimisht do të shfaqet në një festival në Zug të Zvicrës në muajin nëntor, si dhe në Atlanta në një festival pikërisht të këtij zhanri, në muajin tetor”, përfundon Asllani.
Ndërsa, aktori në rolin kryesor Avni Dalipi për KultPlus ka thënë se i ka kapërcyer të gjitha sfidat që i janë shfaqur rrugës, dhe në fund filmi ka dalë shumë më mirë se që e kishte parashikuar.
“Ftesa për filmin ka qenë shumë interesante. Regjisori më ka shkruar në rrjetet sociale dhe unë si çdo herë, marr shumë ftesa nga regjisorë të rinj nga jashtë që dëshirojnë të krijojnë diçka, andaj pranova. Kur e lexova skenarin, atëherë veç fillova të bëhem shpirtërisht pjesë e filmit. Uroj të ia kem arritur qëllimit për rolin që kam luajtur. Zakonisht, preferoj filmin që flet më shumë përmes fotografisë. Është një thënie që thotë se në film flitet me fjalë ajo e cila nuk mund të thuhet me fotografi. Meqenëse Adriani është shumë detajist në punën e tij, jam mundu që t’i kapërcej të gjitha sfidat, duke i arritur të gjitha idetë e tij. Mendoj që e kam bërë atë se çfarë është kërkuar nga unë. Jam munduar që t’i jap përgjigje pyetjeve brenda personazhit. Mund të ketë ndonjë dozë të subjektivizmit por filmi i ka tejkaluar ato pritshmëritë e mia”, ka thënë Dalipi. / KultPlus.com