4 Gusht, 2020 - 10:17 am
Jeta Zymberi
Filmi debutues i Antoneta Kastratit, ‘Zana’, që pati premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanadë dhe njëherit propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të ‘Oscars’, deri më sot ka qenë pjesë e shumë festivaleve e çmimeve ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Filmi ‘Zana’ është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Ditën e djeshme u bë e ditur se filmi është bërë pjesë e programit ‘In Focus’ në Festivalin e Sarajevës.
Ndërsa sot, “Zana” rendit suksesin e radhës. Është aktorja Adriana Matoshi e cila ka fituar çmimin e aktores më të mirë në konkursin zyrtar Ndërkombëtar në Festivalin e Filmit “Fantaspoa” në Brazil. Me rolin e saj në filmin “Zana”, Matoshi ka dëshmuar edhe njëherë fuqinë e saj si aktore dhe shumë nga kritikët e kanë konsideruar si rolin e saj më të mirë. Njëjtë ka menduar edhe juria e festivalit në Brazil duke i ndarë këtë çmim aktores kosovare në mesin e shumë aktorëve të njohur.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe vetë regjisorja Kastrati e cila e ka uruar Matoshin për çmimin dhe është shprehur e lumtur që ka pasur fatin të punoj me të.
“Shume urime Adriana për çmimin “Aktorja me e mire” ne Festivalin e filmit fantastik ‘Fantaspoa’ ne Brazil!!! Ju jeni aktore e mahnitshme, ndihem me fat që pata rastin të punoj me ty”, ka shkruar regjisorja.
I krijuar në vitin 2005, Festivali Ndërkombëtar i Filmave Fantastik të Porto Alegre, “Fantasopa”, është festivali nismëtar i sjelljes së filmave të zhanrit fantazi në Brazil. Fantasopa është një festival 18 ditor, që ka në dispozicion vetëm dy dhoma për shfaqje dhe ekspozon mbi 100 filma në vit.
Në çdo edicion të këtij festivali ndahen 20 çmime të ndryshme në kategori të ndryshme të këtij festivali si dhe çmimin e “arritjes në jetë”, që tashmë është ndarë për disa nga autorët më të mëdhenj të zhanrit fantastik.
Çdo vit ky festival është shtëpia e më shumë se 50 të ftuarve. Gjatë 15 viteve të saj, Fantaspoa u bë festivali më i madh i zhanrit në Amerikën Latine dhe ngjarja kryesore e filmit në qytetin e Porto Alegre dhe tani është një referencë për disa artistë si dhe një dritare e shkëlqyer e ekspozitës për filma fantastikë në Brazil. Festivali është anëtar i Federatës Evropiane të Filmit Fantastik që është “një rrjet i thurur nga 22 festivale filmash nga 16 vende, me një pjesëmarrje globale prej mbi 450 000 vizitorësh, duke e bërë atë një lojtar jetik ekonomik dhe kulturor në skenën e filmit fantastik ”. / KultPlus.com