20 Maj, 2022 - 10:40 am
Mes emocioneve të nisjes së edicionit të 75-të së Festivalit të Kanës, aty ku Shqipëria përfaqësohet me stendën e saj të filmit, një iniciativë krejt e re vjen nga kryeqyteti.
Për herë të parë, në stendën që na përfaqëson në një ndër festivalet më të rëndësishme së kategorisë A, Tirana do të sillet ndryshe. Zyra e filmit, prurje e Agjencisë së Industrisë Kreative (pjesë e Bashkisë së Tiranës), do të promovohet në Marketin e Filmit në Kanë, e jo pa arsye.
Kryeqyteti tashmë do të shërbejë si lokacion për përthithjen e sa më shumë produksioneve të huaja, duke nisur nga prodhimet e Netflix, e deri tek filmat autor evropianë, të cilët do ta shohin Tiranën nën këndvështrimin e vendit ideal për të xhiruar projektin e radhës.
Një nismë kjo, që pritet të sjellë frytet e veta si në industrinë e filmit, ashtu edhe në turizëm.
Tashmë, Tirana do të shfaqet në ekranet e botës, duke u përfaqësuar unikisht në periudhën më të rëndësishme së vitit në fushën e kinematografisë./tvklan/ KultPlus.com