21 Shtator, 2018 - 2:55 pm
Regjisori Ismet Sijarina, drejtoresha e fotografisë Sevdije Kastrati dhe producenti e aktori i njohur Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinjë nga Kosova që kanë marrë ftesë nga Akademia Evropiane e Filmit të jenë pjesë e saj.
Kjo ftesë vjen pas suksesit të filmit “Nëntor i Ftohtë“ i cili do të shfaqet premierë botërore javën që vjen në festivalin e famshëm të filmit në San Sebastian në Spanjë.
“Në rrafshin personal dhe profesional anëtarësimi në EFA është një arritje e madhe. Është nderë të jesh pjesë e elitës kinematografike evropiane. E falenderoj Qendren Kinematografike të Kosovës, për nominimin që më ka bërë.”- u shpreh regjisori Sijarina.
Ndërsa aktori Spahiu tha që: “Kjo ftesë është shpërblim për punën dhe sfidat që kanë profesionet tona, jamë shumë i lumtur dhe ndjehem i privilegjuar.“
Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.
Ceremonia e Çmimeve Evropiane të Filmit sivjet do të mbahet në Sevilla (Andalusia) të Spanjës në dhjetor të këtijë viti. EFA ka mbi 3,500 anëtarë nga mbarë evropa, ku prej tyre Kosova ka 25 anëtarë. / KultPlus.com