23 Shtator, 2018 - 6:25 pm
Aktori kosovar Afrim Muçaj është ndër aktorët më të angazhuar gjatë këtij viti. Ai sapo ka përfunduar xhirimet e dy filmave të metrazhit të gjatë, ka nisur realizimin e filmit të tretë, përderisa dy produksione të tjera janë në pritje të nisjes së xhirimeve, ku Muçaj është në mesin e roleve kryesore të këtyre prodhimeve të reja filmike.
Xhirimet për realizimin e filmit “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur në Tiranë dhe lokacione të tjera në Shqipëri. Një ekip i madh artistësh janë bërë bashkë për të realizuar “ëndrrën” e regjisorit të njohur Spartak Pecani, i cili ka shkruar edhe skenarin e tij. Filmi, është duke u realizuar në cooproduksion mes dy shtëpive filmike, Kosovës dhe Shqipërisë, mbështetur nga QKK-të përkatëse. Në këtë film, Afrim Muçaj luan përballë një kaste të mirënjohur aktorësh shqiptarë, siç është Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledion Zoi, etj.
Muaj më parë, aktori Muçaj ka qenë pjesë e dy projekteve të tjera filmike. Ai ka luajtur njërin ndër 4 rolet kryesore në filmin “Cirku fluturues” të regjisorit të mirënjohur kosovar Fatos Berisha. Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve të “Cirkut…”, Muçaj ka kaluar në sheshin tjetër të xhirimit, atë të regjisorit turk Emre Konuk, i cili kishte nisur realizimin e filmit “Shpata prej druri”, një rrëfim nga Kosova, i mbushur me emocione.
Afrim Muçaj ka thënë se është fatlum që nuk do të mund të pushoj këtë vit. Në muajin nëntor, ai do të jetë në një kastë me aktorin e njohur kosovar Arben Bajraktaraj për të realizuar filmin “Furgoni”, një produksion ky, shqiptaro-francez, nën regjinë e Erenik Beqirit.
Filmi tjetër që pritet të nis xhirimet këtë vit është edhe “I tretuni’ nga Arben Thaçi, një cooproduksion maqedono-kosovar, ku Afrimi sërish do të luaj njërin ndër rolet më me ndikim të tij. Mund të thuhet lirisht se 2018-ta për aktorin Muçaj, është vit shumë i suksesshëm, por të gjithë ata që e njohin e din se ky vit ishte edhe i trishtueshëm. Vdekja e regjisorit, profesorit dhe mikut të tij, Bekim Lumit, ka qenë goditje e madhe jo vetëm për të, por për të gjithë ekipin e aktorëve të shfaqjes “Arturo Ui”, të cilën e prodhoi regjisori Lumi, gjatë kohës sa përballej me sëmundjen e tij shkatërruese. Përmes personazhit të Ernesto Romas, që e kishte realizuar Afrimi në këtë shfaqje, i’u dha lamtumira e fundit maestros së teatrit kosovar Bekim Lumit, gjatë ceremonisë komemorative të tij. “Arturo Ui” vazhdon të shfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com