29 Korrik, 2017 - 4:36 pm
Paparacët mund të ndihmojnë në rrugën drejt famës, por ndonjëherë i kalojnë caqet dhe këtë George Clooney e provoi mbi shpatulla, kur revista franceze “Voici” publikoi fotot e para të binjakëve të tij, pa e marrë pëlqimin e aktorit.
I acaruar, ylli i “Ocean’s Eleven” ka vendosur ta çojë çështjen në gjykatë. Clooney thotë se fotografi i ‘Voici’ kaloi murin rrethues të rezidencës së tij, është ngjitur në një pemë të oborrit dhe ka shkrepur aparatin, duke i bërë në mënyrë të paligjshme foto fëmijëve, ndërkohë që ndodheshin brenda perimetrit të shtëpisë. Revista, sipas tij, do të japë llogari deri në një, përpara gjykatës.
“Është siguria e fëmijëve të mi në lojë”, shprehet 56 vjeçari. Aktori i famshëm dhe bashkëshortja e tij, avokate e njohur dhe njëkohësisht mbështetëse e të drejtave të njeriut, Amal, e njoftuan në muajin qershor ardhjen në jetë të dy fëmijëve të tyre, një djalë dhe një vajzë, Alexandër dhe Ella.
Por deri më tani nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër mbi të miturit, e as kanë publikuar ndonjë foto të tyren.
‘Voici’ i kishte të premten në kopertinë fotografitë e çiftit të veshur me rroba plazhi, duke mbajtur secili në krah nga një foshnjë. Ata duket se po ecin në kopshtin e Vilës së Clooneyt, pranë liqenit Como, në Itali.
Binjakët janë fëmijët e parë të bashkëshorteve Clooney, që lidhën kurorë tre vjet më parë në Venecia, në një ceremoni madhështore, të mbushur me emra të famshëm të ekranit, por që prej atëherë janë përpjekur ta mbajnë jetën e tyre private sa më larg syve të publikut. / KultPlus.com