Aktori i mirënjohur Petrit Malaj feston 56 vjetorin

12 Dhjetor, 2020 - 7:26 pm

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë Petrit Malaj sot mbush 56 vjeç.

Ai u lind në Orikum të Vlorës në 12 dhjeror të vitit 1964. Që në fëmijërinë e tij të hershme familja transferohet në qytetin e Bajram Currit, qytet nga i cili familja e tij është edhe me origjinë. Në vitet 1975-1981 kreu gjimnazin në qytetin e Bajram Currit ndërsa Institutin e Lartë të Arteve e ndoqi gjatë viteve 1981-1985 ku edhe u diplomua në specialitetin “Aktor”

Pas diplomimit ai pati një karrierë të gjatë dhe të sukseshme në teatër por më tepër në kinematografi ku vlejnë të veçohen rolet në ” Qortimet e vjeshtës ” 1981, ” Besa e kuqe ” 1982, ” Nëntori i dytë ” 1982, ” Vendimi ” 1984 ,” Gjurmë në dëborë ” 1984, ” Dasma e shtyrë ” 1985, ” Kur hapen dyert e jetës ” 1986, ” Militanti ” 1984, ” Hetimi vazhdon ” 1986, ” Balada e Kurbinit ” 1988 “, Viktimat e Tivarit ” 1991, ” Bardh e zi ” 1991,” Telegrami ” 1992, ” Skënderbeu ” 1995, ” Kolonel Bunker ” 1998, ” Lule të kuqe, lule të zeza ” 2002, ” Dhimbja e dashurise ” 2008, ” Lindje, perëndim, lindje ” 2008.

Gjatë karrierës së tij si aktor Petrit Malaj ka punuar me regjisorët dhe aktorët më të mirë të vendit. Gjithashtu ka mbajtur edhe disa nga postet më të rëndësishme në Universitetin e Arteve  si Rektor dhe Dekan i Fakultetit të Artit Skenik.

Petrit Malaj është vlerësuar edhe me shumë çmime të rëndësishme ku do të veçonim, medalja “Naim Frashëri” akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë, medaljonin e festivalit në “Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar” si dhe shumë diploma të tjera për aktivitetin krijues e artistik. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme