7 Mars, 2024 - 2:55 pm
“Unë dhe MIllosheviqi” filmi me skenar dhe regji të Arben Kastratit është filmi i vetëm shqiptar që ka mbledh kastë kaq të madhe të aktorëve të njohur botërisht.
Ky film po xhirohet tash e disa vjet, dhe përgjatë kësaj kohe ka sjell aktorët e famshëm si: Gerard Depardieu, Sir Tony Robinson, William Baldwin e Maria Grazia Cucinota kurse këto ditë po qëndron në Kosovë aktori i njohur amerikan Denis O’Hare i cili është duke xhiruar për filmin e Kastratit.
Nën strofullën e dramës dhe komedisë, ngjarja e filmit që ndodh në Kosovë, në Serbi, në Holandë dhe në Francë, flet për një periudhë të pasluftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental. E gjithë motoja “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër” dhe anasjelltas, ka frymëzuar edhe krijimin e personazhit kryesor.
Ky personazh, një shqiptar nga Kosova në rrethana të caktuara takon Millosheviqin dhe këto takime mes tyre shpjegohen në versione të ndryshme. “Unë dhe Millosheviqi” shpalos superioritetin e këtij personazhi ndaj Millosheviqit, pasi që ai e sheh veten si një person që ka triumfuar. Por dëshmitarë të tjerë, takimin mes tyre e shohin krejtësisht ndryshe. Është një ngjarje e filmit që ndodh në vitin 2003, atëherë kur e gjithë popullata kolektivisht ishin të lirë dhe në atë kohë kur qarkullonin dëftime nga më të ndryshme, heroi i këtij filmit po ashtu ka një dëftim të tijin që konsiderohet të jetë sa tragjik, aq edhe komik.
Filmi “Unë dhe MIllosheviqi” është film me skenar dhe regji të Arben Kastratit e producente Shqipe Kamberi. Filmi pothuajse është në fund të xhirimeve për të vazhduar më pas me realizim të filmit./ KultPlus.com