19 Maj, 2020 - 12:00 am
Gregory Tyree Boyce, i njohur më se shumti për rolin e tij në filmin e parë “Twilight”, ka vdekur më 13 maj, konfirmon revista “Variety”. Ai ishte vetëm 30-vjeçar.
Boyce dhe e dashura e tij 27-vjeçare, Natalie Adepoju, janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Las Vegas, derisa ende nuk është zbuluar shkaktari i vdekjes së çiftit, transmeton Koha.
Boyce më së shumti u njoh me rolin e tij në filmin hit të arkave filmike, “Twilight”, ku luajti krahas yjeve të hollywoodit, Kristen Stewart dhe Robert Pattinson, por gjithashtu ka marrë pjesë edhe në filmin e vitit 2018, “Apocalypse”.
Sidoqoftë, sipas nënës së tij Lisa Wayne, Boyce kohëve të fundit kishte filluar të mendojë për hapjen e një restoranti.
Boyce e festoi ditëlindjen e tij të 30-të në dhjetor të vitit të kaluar. Ai në një postim në Instagram pati shkruar: “Ka pasur momente kur kam menduar që nuk do t’i mbërrij të 30-at. Gjatë viteve kam bërë gabime si të gjithë ne, por sot është dita kur i mendoj vetëm gjërat e mira që më kanë ndodhur. Çfarë kohe për të qenë gjallë!,” thuhej në mesazhin e aktorit. / KultPlus.com