17 Mars, 2020 - 9:18 am
Ylli i serisë së famshme “Game of Thrones”, Kristofer Hivju, i cili e ka luajtur rolin e Tormund Giantsbanet në shoun e kanalit HBO, e ka shfrytëzuar rrjetin social Instagram për ta zbuluar lajmin se është vetizoluar në shtëpinë e tij pasi është testuar dhe ka rezultuar pozitiv me koronavirus, transmeton Koha.
“Përshëndetje nga Norvegjia! Më vjen keq t’iu them, por sot unë morra rezultatet e testit për COVID19 dhe kam rezultuar pozitiv me sëmundjen. Familja ime dhe unë jemi vetizoluar në shtëpi për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Po gëzojmë shëndet të mirë dhe të vetmet simptoma që i kam, janë si të gripit të zakonshëm,” shkruhej në mesazhin e aktorit.
41-vjeçari Hivju, nuk hezitoi t’iu kërkojë të tjerëve ta bëjnë të pamundurën për ta mbrojtur komunitetin e tyre.
“Ka njerëz që janë më të rrezikuar dhe për të cilët diagnostikimi me këtë virus mund të jetë shkatërrues. Prandaj, ju lutem të jeni të kujdesshëm, lani duart, ruajeni distancën prej një metër e gjysmë nga të tjerët, hyni në karantinë nëse është nevoja, dhe thjeshtë bëni gjithçka që është e mundur për ta parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Së bashku ne mund ta luftojmë këtë virus dhe ta parandalojmë krizën në spitalet tona. Ju lutem, kujdesuni për veten dhe njëri-tjetrin, mbani distancë dhe qëndroni të shëndetshëm,” ka përfunduar Kristofer Hivju në mesazhin e tij.
Hivju është aktori i katërt deri më tani i konfirmuar me koronavirus pas Tom Hanksit, Olga Kurylenkos dhe Idris Elbas. / KultPlus.com