21 Janar, 2024 - 10:02 am
Ndriçim Xhepa lindi më 21 janar 1957 në Tiranë. Pas mbarimit te studimeve për aktor, në Akademinë e Arteve, me 1979, fillon punën si aktor i Teatrit Kombëtar.
Ka interpretuar rreth 40 role, nga te cilët veçohen ato në “Prometeu” të Eftimiut, “Në jetë” të Dh. Xhuvanit, “Monserrati” të Roblesit, “Vdekja e një komisioneri” te Milerit, “Nën dritat e skenës”, “Nesër është vonë” dhe “Shkallët” të R. Pulahes, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit, “Fernando Krafi më ka shkruar ketë letër” te Dorstit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, te vitit 1995, “Vdekja e Dantonit” të Byhnerit, “Nata e trokitjeve në xhama” te Dh. Anagnostit, “Vdekja dhe virgjëresha” të Dorfmanit, “Portreti i Dorian Greit” të Uajlldit dhe “Kapitulli i Dytë” te Sajmonit me të cilin fiton Çmimin për Aktorin më të Mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. Që nga viti 1988 është pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik.
Në vitet ’90 interpreton role protagoniste edhe në produksione te pavarura si “Kujdes! Kafshon…” të Gernit, “Mbretëresha e bukur” të Mc. Donagh, “Nesër nisemi për në parajsë” të T. Dervishit dhe “Tradhëti bashkëshortore” te Pinterit. Ndërsa në Teatrin e Kombësive të Shkupit ka interpretuar në “Mbretin Lir” të Shekspirit.
Aktivizohet me sukses në rreth 30 filma, nga të cilët veçohen “Shokët” i K. Çashkut, “Kohë e largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë” dhe “Përdhunuesit” të S. Pecanit, “Duaje emrin tënd” dhe “Telefoni i një mëngjesi” të I. Muçajt e K. Mitros, “Hije që mbeten pas” i E. Musliut “Flutura në kabinën time” dhe “Dasma e Sakos” te V. Priftit, “Kthimi i Ushtrisë se Vdekur” i Dhimiter Anagnostit, “Unë e dua Erën” dhe “Porta Eva” te A. Minges, “Plumbi prej plasteline” i A. Minarollit dhe “I dashur Armik” i Gj. Xhuvanit. Aktualisht po xhiron filmin “Lutja e dashurisë”, me regjisor A. Minarolli dhe Y. Aliçka.
Xhepa ka qenë fitues i trefishtë i Kupës për Aktorin më të Mirë në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000. Ndërsa çmimi “Aleksandër Moisiu” për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit iu dha më 1995 /KultPlus.com